Drejtori i CIA në Havana për bisedime me përfaqësues të autoriteteve kubane

TË FUNDIT

Drejtori i Agjencisë Qendrore Amerikane të Inteligjencës (CIA), John Ratcliffe, është takuar në Havanë me përfaqësues të qeverisë kubaneze, njoftuan burime zyrtare kubaneze, përcjell TV21.

Sipas Reuters, takimi me zyrtarë të lartë të Ministrisë së Brendshme është zhvilluar me kërkesë të palës amerikane, thuhet në deklaratën e publikuar nga qeveria kubaneze. Sipas Havanës zyrtare, vizita kishte për qëllim nxitjen e dialogut politik mes dy vendeve në kushte të marrëdhënieve “komplekse” dypalëshe.

Sipas autoriteteve kubaneze, përfaqësuesit e Kubës i kanë përcjellë Ratcliffe dhe delegacionit amerikan se ishulli “nuk paraqet kërcënim për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara”.

Gjithashtu është theksuar se nuk ka arsye që Kuba të mbetet në listën amerikane të shteteve sponsorizuese të terrorizmit, gjë që sjell sanksione.

Havana theksoi se Kuba nuk financon dhe as toleron organizata terroriste dhe se kurrë nuk ka mbështetur aktivitete armiqësore kundër SHBA-ve.

Mediat “Axios” dhe “NBC News”, duke cituar një zyrtar të CIA-s, raportuan se Ratcliffe e vizitoi Kubën për të përcjellë një mesazh të presidentit amerikan Donald Trump lidhur me gatishmërinë e SHBA-ve për angazhim serioz ekonomik dhe të sigurisë, me kusht që Kuba të zbatojë ndryshime thelbësore.

Marrëdhëniet mes dy vendeve janë të tensionuara që nga Revolucioni Kuban në vitin 1959, ndërsa u përkeqësuan edhe më shumë pas ndryshimeve të fundit politike në Uashington.

Pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025, Trump e riktheu Kubën në listën e shteteve sponsorizuese të terrorizmit dhe shtoi presionin për ndryshime ekonomike dhe politike.