Me një minutë heshtje dhe bllokadë para Gjykatës Themelore-Shkupi 1, një grup motoçiklistësh protestuan kundër dënimit me kusht për fajtorin në aksidentin që ndodhi te “Mleçen”, në të cilin jetën e humbi 32-vjeçari Goce Dimitrievski. Nga aksidenti, bashkëshortja e tij, Natasha mbeti e plagosur rëndë, por e humbi foshnjën e palindur.
“Gjykatësit që sjellin aktgjykime të tilla dhe prokurorët që mbështesin aktgjykime të tilla ndikojnë drejtpërdrejt në kaosin në rrugë. Ata në mënyrë të drejtpërdrejtë janë përgjegjës për situatën. Aktvendime të tilla nuk duhet të ndodhin më. Kjo moto-protestë është një paralajmërim për gjyqtarët dhe prokurorët. Paralajmërim që të mos vazhdojnë t’i motivojnë njerëzit të bëjnë aksidente në të cilat vdesin njerëz të pafajshëm”, theksoi Vllado Martinovski – motoçiklist.
Bashkëshortja e të ndjerit, e cila paraprakisht ngriti procedurë kundër gjykatëses kompetente dhe prokurores e cila e udhëhiqte rastin, ndjehet e zhgënjyer nga drejtësia, pavarësisht nga fakti se edhe ajo vjen nga sfera e avokatëve.
“Këshilli i Prokurorëve Publikë dhe kolegjiumi i ekspertëve të Prokurorisë së Lartë Publike-Shkup, ku nuk kam të drejtë për asnjë mjet juridik, edhe krahas ankesës së arsyetuar, më thanë se prokurorja ka vepruar në mënyrë ligjore dhe në përputhje me rregullat. Kjo është e turpshme për këtë vend dhe që duhet të shkojmë në BE”, u shpreh Natasha Dimitrievska – bashkëshorte e të ndjerit.
Për ministrin e Drejtësisë Bojan Mariçiq, në këtë rast nuk janë shterur të gjitha mjetet juridike dhe shpreson se drejtësia do të dalë në pah.
“Së pari le të sqarojmë. Bëhet fjalë për atë që Këshilli i Prokurorëve përcakton se nuk është evidentuar faj te prokurorja. Por, jo të gjitha mjetet juridike janë shteruar. Mendoj se pala ka hapësirë që të drejtohet para Gjykatës së Apeli dhe të marrë shans të ri”potencoi Bojan Mariçiq – Ministër i Drejtësisë.
Vasil Çorbaxhiev, duke drejtuar një xhip ka kaluar në vijë të plotë në rrugë dhe ka përplasur me çiftin e ri. Këshilli Gjyqësor ende e shqyrton ankesën e ngritur kundër gjykatëses, kurse të hënën Këshilli i Prokurorëve Publikë e “liroi” kolegen e tyre nga çdo përgjegjësi. Rasti “Mlleçen”, për momentin gjendet para Gjykatës së Apelit, e cila duhet të marrë vendim lidhur me ankesën e Prokurorisë.
