VMRO-DPMNE-ja po sillet në mënyrë të papërgjegjshme dhe joserioze lidhur me qëndrimin e saj që t’i mos mbështesë vendimet për gjendje të jashtëzakonshme të cilat i shpalli Presidenti Stevo Pendarovski, gjë të cilën e kërkonte edhe vetë Mickoski, deklaroi kryeministri Zoran Zaev. Ai siguron se nuk ka vend për frikë se mund të vijë deri te një krizë kushtetuese.
-Mickoski vraponte para meje si kryetar i partisë më të madhe në pushtet për të kërkuar gjendje të jashtëzakonshme. Dhe nuk ka rëndësi se kush e kërkoi, ne e kërkuam – pushteti dhe opozita së bashku. Presidenti Pendarovski na dëgjoi, i dëgjoi argumentet, bile edhe mbajtëm takime dhe ai e shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Nuk ka rrezik as për kriza kushtetuese, as për ndonjë problem për shfuqizim të ndonjë vendimi që është marrë, e as për kthimin e gjithë procesit, tha Zoran Zaev, kryeministër.
Pas seancës së parë të Këshillit për Siguri të dedikuar krizës me koronavirus, u vendos që të mos ketë gjendje të jashtëzakonshme, pas çka Mickoski tha se nuk ishte dakord me këtë vendim.
-Për shkak të urgjencës dhe situatës alarmante në terren, por edhe nevojës për të ndihmuar qytetarët, unë sot i bëj thirrje Presidentit Pendarovski që të shpallë gjendje të jashtëzakonshme në Maqedoni në përputhje me Kushtetutën sa më shpejt që është e mundur, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski thotë se gjendja e jashtëzakonshme është shfrytëzuar për interesa personale dhe për këtë arsye nuk do t’i votojnë vendimet. Ai shton se ata ende po mendojnë që të kërkojnë mocion mosbesimi për Pendarovskin.
-Po shqyrtohen të gjitha mundësitë. Do të shqyrtohen dhe do të diskutohen të gjitha opsionet e trupave dhe organeve të partisë. Ne që moti thamë se Stevo Pendarovski është pjesëmarrës në mafinë e Zaevit,- deklaroi Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
Ish-ministrja e Drejtësisë dhe profesoreshë e së drejtës kushtetuese, Renata Deskoska, konsideron se aprovimi i vendimeve për gjendjen e jashtëzakonshme është i panevojshëm.
-Normat juridike duhet të shkaktojnë pasoja juridike, të kenë efekt juridik, kurse ky vendimmarrje në Kuvend nuk do të kishte asnjë efekt juridik në lidhje me vendimet e miratuara, sepse ato kanë përfunduar. As mosaprovimi i vendimeve të Presidentit do të nënkuptonte procedurë për përgjegjësi nga Presidenti. Kuvendi nuk duhet të fillojë procedura të pabaza, ka shkruar në Facebook, Renata Deskoska, ish ministre e Drejtësisë.
Për vendimet lidhur me gjendjen e jashtëzakonshme deri në Gjykatën Kushtetuese ishin dorëzuar edhe nisma për vlerësim të kushtetutshmërisë së tyre, edha atë nga partia E Majta, nga Kongresi Botëror i Maqedonisë dhe nga një qytetar. Gjykatësit kushtetues i hodhën poshtë iniciativat, me shpjegim se Kushtetuta nuk kufizon sa herë mund të shpallet gjendja e jashtëzakonshme, në qoftë se organet kompetente, në këtë rast – Kuvendi dhe Presidenti i shtetit, vlerësojnë se janë plotësuar kushtet dhe nevoja për shpalljen e saj.
