DPMNE akuzon për regjistrim politik të popullsisë! Simovski: Janë sjellë edhe protokollet për regjistrim në kushte të Kovid-19

TË FUNDIT

Kritikat e opozitares VMRO-DPMNE për propozim ligjin për regjistrimin e popullsisë, nuk kanë të ndalur. Nga kjo parti akuzojnë se pushtetin dëshiron të zbatoj operacion politik e jo statistikë, ndërsa, siç thonë ata,  Ligji nuk i përmban standardet ndërkombëtare andaj kërkojnë të tërhiqet.

“Ne u bëjmë thirrje qytetarëve që të mobilizohen, së bashku të parashtrojmë nismë në njësitë rajonale të Ministrisë së Drejtësisë për të mbledhur nënshkrime për projektligjin, që do të dorëzohet në Parlament për të anuluar këtë ligj që shumica parlamentare planifikon të miratojë me forcë”, tha Dafina Stojanovska, VMRO-DPMNE.

Nga LSDM thotë se opozita problematizon në mënyrë të panevojshme ligjin dhe dërguan thirrje deri te të gjithë deputetët që ta mbështesin atë.

“Nuk kemi ndërmend të lejojmë që VMRO-DPMNE të parandalojë edhe një regjistrim tjetër të popullsisë. Si deputetë të zgjedhur nga populli, ne kemi detyrim që t’u mundësojmë institucioneve kompetente të bëjnë të gjitha përgatitjet për regjistrimin dhe ta kryejnë atë me sukses në përputhje me standardet ndërkombëtare”, deklaroi Sllavjanka Petrovska, LSDM.

Njeriu i parë i Entit Shtetëror të Statistikës, Apostoll Simovski, thotë se janë respektuar të gjithë standardet ndërkombëtare të parashikuara me ligjin për regjistrimin e popullsisë. Ne kemi nevojë për zbatimin e regjistrimit të popullsisë për shkak se 20 vite nuk e kemi zbatuar këtë operacion statistikor, thotë Simovski.

“Ka institucione që monitorojnë vazhdimisht punën tonë dhe vlerësojnë nëse i përmbushim ato standarde ndërkombëtare apo jo. Në këtë rast, Eurostat dhe Kombet e Bashkuara po bëjnë këtë gjë, dhe deri më tani nuk kemi marrë ndonjë vërejtje nga asnjëri prej institucioneve se nuk kemi përmbushur ndonjë standard të caktuar. Në fund të fundit, ato standarde nuk vlejnë për to, ato vlejnë për neve”, deklaroi Apostoll Simovski, Drejtor i ESHS-së.

Megjithëse disa vende kanë njoftuar se do të anulojnë regjistrimin e popullsisë për shkak të pandemisë së Kovid 19. Tek ne nuk po mendohet për prolongimin e datës. Por, çka nëse qytetarët refuzojnë të pranojnë regjistruesit e popullsisë në shtëpitë e tyre nga frika e infektimit, Simovski përkujton se regjistrimi është operacion i detyrueshëm dhe se të gjitha protokollet e sigurisë janë miratuar.

“Ne kemi përpiluar protokolle sipas gjendjes që e kemi pasur rreth një muaj më parë kur kemi pasur shpërthimin më të madh të pandemisë. Si do të shkohet dhe vihet në situata të tilla. Po, ne jemi të vetëdijshëm se do të ketë raste kur do të refuzohet. Ekzistojnë mjete mbrojtjeje, absolutisht të gjithë regjistruesit do të pajisen me mjete për mbrojtje maksimale, por ne gjithashtu do të këmbëngulim që familjet të mbajnë maska kur të shkojë te ata regjistruesi si dhe  të kenë distancë”, shtoi Simovski.

Sot është dita e dytë e debatit për projektligji për regjistrimin e popullsisë. Sipas këtij ligji, regjistrimi është planifikuar të kryhet nga 1 deri më 21 prill të këtij viti.