Dozat e para të vaksinës anti-Covid në SHBA! OBSH: Frenimi i Covid-19, kur 60 % e popullatës të imunizohet

TË FUNDIT

Dozat e para të vaksinës kundër koronavirusit të kompanisë amerikane Pfizer kanë arritur në SHBA.

Nga Belgjika, kompania “United Airlines” ka bërë bartjen e vaksinës në Çikago, raporton NBC NEWS.

Janë nevojitur plot 15 mijë kilogram akull në aeroplan që të ruhet temperatura e nevojshme e vaksinës Pfizer.

Distribuimi i vaksinimit të Pfizer do të fillojë menjëherë pasi të merr dritë jeshile nga Administrata amerikane e ushqimit dhe ilaçeve, e kjo leje sipas mediave amerikane pritet të jepet gjatë javës së ardhshme.

Kate O’Brien, drejtoresha e OBSH-së për imunizimin dhe vaksinat në një konferencë shtypi në Gjenevë tha se ende nuk është e qartë nëse vaksinat kundër COVID-19 mund të reduktojnë aftësinë e njerëzve për të përhapur virusin.

“Rreth 60 deri në 70% e popullsisë duhet të jetë imun nëpërmjet imunizimit në mënyrë që të arrijmë një reduktim ose ndërprerje të transmetimit të virusit. Natyrisht kjo varet nga performanca e vaksinës. Kështu që është me të vërtetë e rëndësishme që ne në fakt të fillojmë të marrim më shumë informacion në lidhje me atë se çfarë bëjnë vaksinat, jo vetëm për parandalimin e sëmundjes, por për të parandaluar marrjen e virusit, infeksionin dhe karakteristikat e këtij infeksioni”, theksoi Katherine O’Brien.

Ndërkaq në vendin tonë vaksina pritet që të arrijë në fillim të vitit të ardhshëm, kanë thënë autoritetet shëndetësore. Kryeministri Zaev ka paralajmëruar se janë ndarë 390 milion denarë ose 6.5 milion euro për blerjen e 800 mijë dozave te vaksinës kundër Covidit.

 “Ne kemi aplikuar për blerjen e vaksinës, nëpërmjet mekanizmit “COVAX”. Ky është një mekanizëm në nivel botëror, me çka të gjitha shtetet që kanë aplikuar në këtë mekanizëm kanë qasje në sasi të duhur për vaksinim të popullatës. Ne vendosëm që ajo të jetë 20% sipas rekomandimeve të Komitetit për imunizim, nga dy doza, do të jenë 800 mijë doza, për të cilat tashmë kemi aplikuar”, deklaroi Venko Filipçe – Ministër i Shëndetësisë. 

Në fillim parashikohet imunizimi i grupeve të rrezikuara siç janë punonjësit shëndetësorë, të sëmurët kronik dhe popullata e moshuar.

Në konkurrencë janë tre vaksina, si ato amerikane Pfizer, Moderna dhe ajo e Oksfordit.

Vaksina e Oksfordit funksionon në 70% të rasteve, vaksinat e prodhuara nga kompanitë Pfizer dhe Moderna, kanë treguar 95% mbrojtje.

Megjithatë, vaksina e Oksfordit është thënë se do të jetë shumë më e lirë, më e lehtë për t’u ruajtur dhe më lehtë e qasshme në secilin kënd të botës, në krahasim me dy të tjerat. Nëse miratohet nga rregullatorët, ajo besohet se mund të luajë rol të rëndësishëm në luftimin e pandemisë.