Dosjet Epstein – Jep dorëheqje edhe një zyrtar në qeverinë e kryeministrit britanik

TË FUNDIT

Shefi i komunikimit në zyrën e kryeministrit britanik, Keir Starmer, Tim Allan, ka dhënë dorëheqje nga detyra të hënën. Në njoftimin e tij, Allan ka deklaruar se vendimi është marrë për t’i hapur rrugë formimit të një ekipi të ri, duke i uruar njëkohësisht kryeministrit dhe stafit të tij suksese të mëtejshme.

Dorëheqja e Allan vjen vetëm një ditë pasi nga posti u tërhoq edhe shefi i stafit të Starmerit, Morgan McSweeney.

Këto zhvillime pasojnë publikimin e miliona dokumenteve që lidhen me të dënuarin për abuzim seksual, Jeffrey Epstein, të cilat zbuluan se ish-ambasadori britanik në Uashington, Peter Mandelson, kishte pasur lidhje me financierin amerikan tashmë të ndjerë.

Në arsyetimin e dorëheqjes së tij të dielën, McSweeney kishte theksuar se vendimi i Starmerit për ta emëruar Peter Mandelsonin ambasador në Shtetet e Bashkuara në vitin 2024 ishte i gabuar.

Për shkak të kësaj çështjeje, Starmer po përballet me atë që konsiderohet gjerësisht si kriza më serioze gjatë 18 muajve të tij në pushtet, ndërsa disa deputetë nga radhët e partisë së tij kanë nisur të vënë hapur në dyshim gjykimin dhe të ardhmen e tij politike.