Policia sllovene ka mbetur pa udhëheqës, pasi ministri i Punëve të Brendshme, Alesh Hojs dhe drejtori i Policisë, Anton Travner dhanë dorëheqje.
Arsyeja e dorëheqjes së Hojsit është kërkimi policor që është bërë në shtëpinë e ministrit të Ekonomisë, Zdravko Poçivalshek, i cili dyshohet se ka kryer veprime të paligjshme gjatë furnizimit me respiratorw dhe pajisje mbrojtëse për spitalet sllovene.
Dorëheqja e parevokueshme e Hojsit, tashmë i është dërguar kryeministrit Janez Jansha, për të cilin kjo është dorëheqja e parë e një ministri në qeverinë e tij.
Tanimë, ish ministri ka publikuar dorëheqjen e tij, në rrjetet sociale, duke thënë se kërkimi policor i shtëpisë së Poçivalshek ishte i paligjshëm dhe se policia në disa segmente kontrollohej nga ajo që, ai e quajti, “strukturë partiake e UDBA-së”.

Para zgjedhjes së tij si ministër i Punëve të Brendshme, Hojs ishte më parë kreu i TV Nova24, të cilin opozita akuzon se ishte financuar drejtpërdrejt nga “paratë hungareze” dhe se ishte “televizioni partiak i kryeministrit Janez Jansha”.
Aktualisht, policia po kryen kërkime në 11 objekte, përfshirë shtëpinë e ministrit të Ekonomisë, në përpjekje për të gjetur dëshmi të korrupsionit në zbatimin e tenderit prej tetë milionësh për furnizimin me pajisje mjekësore./MIA
