Donohen 18 mijë e 400 kartela me 10GB internet, Autoritetet premtojnë: Fëmijët nuk do të diskriminohen nga mësimi në distancë

TË FUNDIT

Telekomi ka vendosur të donojë 18 mijë e 400 kartela celulari të cilat do të kenë 10 gigabajt internet. Do të shfrytëzohen nga nxënësit të cilët nuk kanë rrjet të internetit në shtëpi, e ndërkaq duan të ndjekin procesin arsimor që gjatë kësaj periudhe është duke u mbajtur në formë online.

“Duke e pasur parasysh se kemi fëmijë të cilët nuk kanë internet për të ndjekur procesin arsimor apo mësimin në distancë, u detyruam që t’u ndihmojmë”, tha Damjan Mançevski, Ministër i SHIA-së.

Interneti do të mund të shfrytëzohet vetëm për platformën e-mësimi. Shpërndarja do të bëhet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës nëpërmjet qendrave sociale.

Pas këtij vendimi, mbetet të shihet nëse kartelë interneti do të fitojnë edhe nxënësit në Bozovcë, për të cilët ditë më parë informoi edhe TV 21.

“Jam klasa e gjashtë, nuk mund ti bëjmë detyra se nuk kemi as rrymë dhe as internet”, tha Orieta Hamidi, nxënëse në Bozovcë.

Por, me këto kartela duket se s’do të ketë më fëmijë që nuk do të ndjekin procesin arsimor, premtoi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi.

“Sot nënshkruhet marrëveshje për donacion nga ana e Telekomit, që të kenë të gjithë fëmijët qasje në internet! 18 mijë e 400 familje sociale do të kenë qasje në internet dhe kjo do të thotë edhe zhvillim dhe qasje në procesin arsimor e cila organizohet në rrethana të këtilla të jashtëzakonshme”, tha Arbër Ademi.

Arsyeja e donacionit ishte që të kemi proces arsimor të pandërprerë dhe që nuk do të diskriminojë askënd, deklaroi drejtori i Telekomit, Nikolla Lushev.

“Njëri nga prioritetet, në këtë situatë të jashtëzakonshme, definitivisht është të sigurohet proces arsimor i pandërprerë. Mësimi në distancë është i domosdoshëm, por jo të gjithë e kanë këtë të drejtë. Në këto kushte jemi të obliguar t’i ndjekim masat, por edhe të gjejmë zgjidhje për sfidat”, tha Nikolla Lushev, Drejtor i Telekomit.

E gjatë kësaj periudhe procesi arsimor është duke u zhvilluar në distancë, kjo për shkak se shkollat janë të mbyllura për të parandaluar shpërndarjene  Kovid-19.