Tri ditë pas atentatit me armë zjarri, doktori Zekirja Shaini u kthye në vendngjarje. Ai demanton se bashkëshortja e tij Arjeta Adili ishte porositësja për vrasjen e tij, pasi e njëjta u arrestua nën dyshimin se ka lidhje me atentatin.
“Tërësisht i hedh si të pabaza dhe të pavërteta pretendimet se pas këtij akti qëndron zonja ime Arjeta Adili, andaj urgjentisht kërkoj nga organet hetuese që të sqarojnë situatën rreth zonjës time të përfshirë në këtë rast nga ana e tyre, duke respektuar privatësinë familjare”, tha Zekirja Shaini, mjek.
Shaini u bën thirrje autoriteteve ta kapin autorin e sulmit, L.F. 36 vjeç nga Gostivari.
“Kërkoj nga organet e rendit dhe të hetuesi duke iu bërë thirrje që të merren me zbulimin e të dyshuarit të vërtetë të rastit, e jo këtë çështje ta paraqesin si mosmarrëveshje apo ngatërresë familjare se po të ishte ashtu siç u tha në opinion, unë kurrë nuk do të bashkëjetoja me zonjën”, shtoi Zekirja Shaini, mjek.
Shaini, që po ashtu është edhe bartës i listës së AKI-së për këshilltarë të Likovës, ripërsëriti se sulmi nuk ka motive politike, ndonëse ka rastisur të jetë në mes të fushatës zgjedhore.
“Apel edhe politikës që ngutet para organeve kompetente për të paraqitur këtë rast si ngatërresë familjare. Jo vetëm rastin tim, por edhe gjitha rastet e këtilla të mos t’i shohin në syrin e fitimit të poenëve politik, mu në këto momente të zhvillimit të fushatës parazgjedhore me rastin e zgjedhjeve lokale”, u shpreh Zekirja Shaini, mjek.
Përndryshe, të martën në mes të ditës, vetëm pak hapa nga stacioni policor në Kumanovë ndodhi një sulm me pistoletë 9mm, ku i dyshuari i maskuar gjuajti në drejtim të veturës t; cil;s po i jepte dotori Shaini. Policia është në ndjekje të autorit L.F. 36 vjeç nga Gostivari, ndërsa bashkëshortja e viktimës A.A. 43 vjeçe nga Tetova me banim në Sllupçan, një ditë pas sulmit u privua nga liria si e dyshuar për bashkëpunëtore në sulm. Policia e Kumanovës ka ngritur kallëzim penal ndaj dy të dyshuarve. Autori është në arrati, ndërsa e dyshuara, sipas policisë porositëse, po hetohet në liri.