Kërkoi përjashtimin e prokurorit Sasho Rajçev për shkak se në portalin e tij “Dokaz-M” ka publikuar informacione dhe tekste të cilat ia ka dhënë ky prokuror. Me këto pohime e nisi seancën ankimore në Apel, pronar i portalit “DokazM” Marjan Stamenkovski kundrejt të cilit po zhvillohet ky proces gjyqësor. Stamenkovski tha se prokurori Rajçev e ka pajisur atë me informacione për t’i plasuar në faqen e tij të internetit, ndërsa për një pjesë të këtyre teksteve, Stamenkovski po ndiqet edhe penalisht.
“Kërkoj që të përjashtohet i nderuari prokuror për konflikt interesi, sepse sipas informacioneve të mia të besueshme, personi Sasho Rajçev ka dërguar informacione që janë pjesë e rasteve për të cilat më gjykoni, por edhe për lëndët për të cilat Kryetari i Prokurorisë së Lartë Publike, Mustafa Hajrullahi, ka kërkuar falje nga unë, por edhe për çështje të tjera.”- deklaroi Marjan Stamenkovski, pronar i portalit Dokaz-M.
Pretendimet e Stamenkovskit nuk i pranoi prokurori Rajçev. Thotë se deklarimet e tilla janë tërësisht të pavërteta duke pohuar se as nuk e njeh Stamenkovskin e as nuk e ka lexuar ndonjëherë portalin DokazM.
“As nuk e njoh të akuzuarin Marjan Stamenkovski, as nuk kam pasur kontakt personal e asnjë lloj kontakti tjetër dhe as nuk kam pasur ndonjë komunikim. Ashtu që pretendimet e tij të deklaruara në seancën e sotme në tërësi i hedh poshtë si të pa vërteta, të cilat i dokumentova në formë të shkruar dhe e dërgova deri në prokurori.”- pohoi Sasho Rajçev, Prokuror.
Kërkesa e Stamenovskit sipas prokurorit Rajçev është mënyrë për të zvarritur procedurën dhe për të bërë sensacionalizma ashtu siç ka bërë sensaciolizma në tekstet që i ka publikuar e që janë lëndë e kësaj procedure. E për në fund kundrejt Stamenkovskit do të ketë edhe një padi për shpifje të cilën do ta ngrit pikërisht prokurori Rajçev.
“Mora procesverbalin nga deklarimet e pavërteta kundrejt meje dhe janë të pavërteta që referohen si shpifje dhe sipas dispozitave pozitive paraqesin bazë për të ngrit padi”- tha Sasho Rajçev, Prokuror.
Kompetent për të vendosur për tërheqjen ose jo të Rajçevit nga përfaqësimi i kësaj lënde është shefi i Prokurorisë së Lartë, Mustafa Hajrullahi. Meqenëse edhe Hajrullahu u përmend nga Stamenkovski u vendos që për përjashtimin e Rajçevit të vendos kryeprokurori publik i Maqedonisë. Në prill të këtij viti pronari i faqes së internetit “Dokaz-M”, Marjan Stamenkovski u dënua me tre vjet e një muaj burg, ndalesë për të kryer punë që lidhen me veprën penale për 10 vitet e ardhshme dhe gjobë prej 5 mijë eurove. Ai u shpall fajtor për veprat penale si shantazh, përhapje të ksenofobisë dhe materialeve raciste si dhe keqpërdorim të të dhënave personale.
