Dogana sekuestron bizhuteri “Swarovski” me vlerë rreth 5.400 euro në Aeroportin e Shkupit

TË FUNDIT

Dogana e Maqedonisë së Veriut ka sekuestruar bizhuteri të markës “Swarovski” me vlerë prej 333 mijë denarësh në Pikën Kufitare të Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit, pasi ato u zbuluan gjatë kontrollit të detajuar të një udhëtareje që po hynte në vend.

“Bëhet fjalë për një shtetase të Maqedonisë së Veriut, e cila mbërriti me një fluturim nga Zagrebi. Me qëllim që të shmangte pagesën e detyrimeve doganore, ajo u drejtua në korridorin e gjelbër në vend të atij të kuq. Gjatë kontrollit, udhëtarja deklaroi se nuk kishte asgjë për të paraqitur. Pas skanimit me rreze X dhe kontrollit të bagazhit, u zbuluan 23 copë bizhuteri të markës ‘Swarovski’”, njoftojnë nga Dogana.

Sipas autoriteteve doganore, rasti i është dorëzuar Departamentit të Hetimeve pranë Sektorit për Kontroll dhe Hetime, i cili ka ngritur kallëzim penal për veprën penale “kontrabandë”, e dënueshme sipas Kodit Penal.