Dogana e Kosovës kap 120 kg kanabis në një autobus nga Shqipëria

TË FUNDIT

Njësitë Antikontrabandë të Doganës së Kosovës kanë kapur sot një autobus që udhëtonte nga Shqipëria drejt Kosovës pa pasagjerë, duke zbuluar rreth 120 kilogramë kanabis. Autobusi u ndalua në Autostradën “Ibrahim Rugova” dhe më pas u shoqërua për kontroll të detajuar në objektet e Doganës në Prishtinë.

Kontrolli u realizua me përdorimin e qenve nuhatës të dhuruar nga organizata gjermane GIZ dhe pajisjeve profesionale të ofruara nga programet e Qeverisë së SHBA-së. Ky zbulim konsiderohet një sukses i rëndësishëm në përpjekjet e Doganës së Kosovës për të parandaluar trafikun e drogës dhe për të mbrojtur shoqërinë.

Rasti i është dorëzuar njësive Antidrogë të Policisë së Kosovës për procedura dhe veprime të mëtejshme penale. Doganat e Kosovës theksojnë se do të vazhdojnë të jenë të përkushtuara në luftën kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar, duke rritur bashkëpunimin me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë për sigurinë dhe sundimin e ligjit.

Ky rast vjen pak javë pas një operacioni të ngjashëm, i realizuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.