Do të pritet edhe 1 vit për uniformat shqip në polici, Sela skeptik për zbatimin e shqipes në praktikë

TË FUNDIT

Katër vjet pasi u miratua Ligji për përdorimin e gjuhëve, Qeveria miratoi dekretin i cili do të mundësojë përdorimin e shqipes në uniformat e policisë.


Në vitin 2020 Ministri i atëhershëm për Punë të Brendshme Agim Nuhiu nënshkroi aktet normative që emblemat e policisë të jenë edhe në shqip.

“Këto akte do të duhet të marrin edhe pëlqimin e Qeverisë dhe më pastaj të hapen edhe procedurat e tenderimit që të munden edhe praktikisht të intervenohet në emblemat e policisë. Kjo është një bazë normative që u hapë rrugë edhe aktiviteteve të tjera të ndërlidhura me sigurimin e emblemave edhe në gjuhën shqipe”, deklaroi më 8 gusht 2020, Agim Nuhiu.

Po në vitin 2020, pas Nuhiut në dikasterin e Brendshëm erdhi ministri aktual Oliver Spasovski, i cili sa herë që pyetej nga TV21 për zbatimin e dygjuhësisë në polici, thoshte se është në procedurë.
Dy vjet pasi u nënshkruan aktet normative zv/kryeministri i parë Artan Grubi bëri të ditur se në seancën e Qeverisë është miratuar ndryshimi i Dekretit për uniformat dhe simbolet e tyre, i cili parasheh përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare edhe në uniformat e shërbimeve policore në përputhje me ligjin. Edhe një detyrë tjetër u përmbush sot, u shpreh Grubi.

Por sa kohë do të duhet që uniformat të jenë edhe në shqip tregon kryeministri Dimitar Kovaçevski.

“Është lënë kohë për një vit pasi që për uniforma dhe pajisje tjera që kanë emblema duhet proces për tenderim dhe normalisht për prodhimin e atyre pajisjeve dhe për këtë është lënë ajo periudhë”, deklaron Kovaçevski.

Lideri i opozitës shqiptare Ziadin Sela uron që ky Dekret të mos e ketë fatin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Është skeptik për zbatimin e të njëjtit, ndërsa thotë se BDI është dashur ta ketë kryer që moti këtë çështje, pasi siç thotë është 20 vjet në qeveri.

“Kuptohet, gishti drejtohet tek ata që i sollën vonesa ligjit dhe që janë në pushtet që njëzet vjet. Prandaj unë them që shpresoj që ky Dekret të mos e ketë fatin e Ligjit, sepse gjithnjë sillet dekreti, animohet opinioni vetëm për një çështje të ligjit, ndërkohe që ngelin pa u implementuar, për shëmbull, ku është implementimi i gjuhës shqipe në gjykatë, gjitha këto elemente”, tha Sela.

Ndryshe Ligji për gjuhët u miratua në vitin 2018, ndërsa në fuqi hyri pas një viti, pasi ish-presidenti Gjorge Ivanov refuzoi ta dekretonte. Pika 3 e neni 8 të ligjit për përdorimin e gjuhëve parasheh që shqipja të përdoret në uniformat e policisë, ushtrisë, doganierëve, të zjarrfikësve, të shëndetësisë; në Shkup dhe në komunat në të cilat së paku 20% e qytetarëve janë shqipfolës.