Për nxënësit deri në klasën e gjashtë janë siguruar libra sipas konceptit të ri, ndërsa për klasat e 7-ta, 8-ta, 9-ta tekstet janë sipas programit të vjetër, që po ashtu janë të siguruara, dhe janë në proces shpërndarjeje, tregoi zëvendësministri i arsimit Lulzim Aliu në edicionin e sotëm të DailyClick. Librat që do të mungojnë, sipas tij, janë ato të gjuhëve të huaja si angleze, gjermane dhe frënge.
“Tekstet e gjuhës amtare, siç është gjuha maqedonase për nxënësit me mësim në gjuhën maqedonase, gjuha shqipe për nxënësit me mësim në gjuhën shqipe, gjuha turke për nxënësit me mësim në gjuhën turke, këto tekste shkollore janë siguruar por, siç mund të jetë gjuha frënge, angleze, gjermane se për këto nuk i shkruajnë autorët vendas por autorë të huaj”, tha Lulzim Aliu.
Duke folur për çështjen e rritjes së pagave të mësimdhënësve dhe protestat e paralajmëruara sindikata, zëvendësministri Aliu tha se ata që e ngrenë zërin janë përgjegjësit nëpër shkolla që nuk kanë orë mësimore, pra kanë kohë të lirë. Paralajmëroi se rritja e pagave deri në 15% do të bëhet pranverën e ardhshme.
“Zgjidhja e tërësisë së procesit arsimor e problematikës, mendoj se do të rezultojë me rritje edhe të pagave edhe të kushteve. Por nuk mund të kërkojmë kur jemi të vetëdijshëm se vazhdimisht ajo çfarë e përmendëm më herët është në ulje numri i nxënësve qoftë shkollë fillore dhe të mesme dhe numri i të punësuarve është vazhdimisht duke u rritur pra është një dispoporcion”, tha Aliu.
Përndryshe, Sindikata e pavarur për arsimin dhe shkencën ka vendosur njëzëri për një sërë protestash për siç thonë shkelje e marrëveshjeve kolektive dhe ligjit për pagën minimale. Protestat do të nisin në Manastir, pas përfundimit të mësimit, që do të thotë se nxënësit nuk do të humbasin mësimet.
