Do të merren dy licenca për lojëra të fatit – Llukarevska kundër Koçovskës: Kemi vepruar për shkresat e Ministrisë së Financave

TË FUNDIT

Nesër në seancë qeveritare pritet që tu merret licenca dy kompanive që kanë organizuar lojëra fati, ndërsa nuk kanë paguar tatim për të ardhurat personale. Nga Qeveria konfirmojnë se u ka arritur propozimi nga Ministria e Financave, për të cilin informoi ministrja Gordana Dimitrievska Koçovska, duke theksuar se kompanitë nuk kanë paguar as tatim për të ardhurat personale. Megjithatë pohimet e Koçovskës se udhëheqësia paraprake e DAP-it një periudhë të gjatë nuk ka vepruar për shkresat e Ministrisë për të hetuar këto dy kompani, i mohoi ish shefja e Drejtorisë, Sanja Llukarevska. Thotë se askush nuk ka qenë i privilegjuar, është vepruar në mënyrë ligjore, të përgjegjshme dhe nuk është e vërtetë se nuk kanë vepruar në bazë të shkresave.

“Kërkesa fillestare nga Ministria e financave deri te DAP është parashtruar që në korrik të vitit 2023, pas çka janë bërë disa urgjenca, për çka është vepruar nga ana e Drejtorisë në qershor të vitit 2024, përkatësisht pasi që DAP merr udhëheqësi të re”, tha Gordana Dimitrieska Koçovska, ministre e Financave.

“Ndoshta ndonjëherë nuk është vepruar në kohën e duhur për dërgimin e një shkrese të caktuar, por është vepruar çdo herë. Asnjëherë në dëm të vetë institucionit, në dëm të buxhetit apo në dëm apo me tendencë adekuate ndaj një tatimpaguesi konkret apo për të bërë një privilegj të duhur”, deklaroi Sanja Llukarevska, ish drejtoreshe e DAP.

Llukarevska me thirrje që të shqyrtohet i gjithë dokumentacioni. Sipas saj, ndonjëherë duhet një periudhë më e gjatë që të hetohen të gjithë organizatorët e lojërave të fatit, sepse ata janë, siç tha, tatimpagues specifik.

“Shumë herë kemi reaguar edhe deri te Ministria e financave dhe konkretisht deri te qeveria për disa parregullsi në punën e organizatorëve të ndryshëm të lojërave të fatit. Puna jonë është që të konstatojmë, të përcaktojmë gjendjen faktike”, u shpreh Llukarevska.

Do të hetohet se sa këto dy kompani e kanë dëmtuar buxhetin. Nga Asociacioni i organizatorëve të lojërave të fatit njoftuan se të gjithë  ata duhet ta respektojnë ligjin dhe për këtë nuk guxon të bëhet kompromis. Ata e përshëndetën Ministrinë për sqarimin e rrethanave, gjë që shkaktoi që të sillet propozimi për marrjen e licencave, për, siç thonë, ruajtjen e kredibilitetit të industrisë.