Kandidati i AKI-së për kryetar të Gostivarit, Valbon Limani, ka prezantuar një pjesë të programit dhe vizionit të tij për komunën. Ai tregoi se ka hartuar një planifikim urban për zhvillim modern hapësinor që do ta transformojë qytetin në një hapësirë të gjallë funksionale dhe bashkëkohore. Përmendi projektim për urën e re që do të quhet “Ura e Harmonisë”, transformimin dhe hapjen e bulevardin kryesor, parkimin nëntokësor pranë komunës dhe rilindjen e qendrës së qytetit me nënkalim për automjetet dhe këmbësorët. Foli edhe për mbështetjen ndaj ekonomisë dhe të rinjve.
“Për të nxitur ekonominë vendore dhe për të krijuar më shumë mundësi punësimi, do të zbatojmë një politikë të re mbështetëse për bizneset dhe inovacionin. Taksat komunale për kompanitë e reja do të reduktohen nga 6 mijë denarë vetëm në 1 mijë denarë në 5 vitet e para të funksionimit. Rinia e ardhmja jonë – për çdo të ri apo të re deri 30 vjeç do të mbështesim start-upet e tyre me 60 mijë denarë”, tha Limani.
