Do ta ndalojmë “fajden” nëpërmjet kredive të shpejta, ashpërsohet zgjidhja ligjore – paralajmëron ministrja e Financave

TË FUNDIT

Në edicionin e sotëm të emisionit “Biznes21” në TV21, ministrja e Financave e Maqedonisë së Veriut, Gordana Dimitrieska-Koçoska, foli për gjendjen dhe rregullimin e shoqërive financiare që operojnë në vend.

“Për shembull, ju e dini që në një bankë ekspozimi maksimal ndaj një personi fizik mund të jetë deri në 55% të të ardhurave të tij. Ndërsa te këto shoqëri financiare, kjo përqindje është 70%. Kjo është e përcaktuar me ligj, por në ligj qartë është e specifikuar se çfarë nënkuptohet me të ardhura personale, se duhet të merren të dhëna nga Byroja e Kreditimit dhe të ngjashme. Tani jemi në fazë të rregullimit të mëtejshëm të këtyre çështjeve,” tha ministrja.

Ajo theksoi se gjatë vitit të kaluar janë ndërmarrë hapa seriozë për forcimin e kontrollit mbi këto shoqëri.

“Janë revokuar dy licenca, janë lëshuar katër urdhër-gjoba dhe janë konstatuar shkelje. Kemi informacion të saktë për atë që ndodh në terren. Aktualisht është në përgatitje edhe një procedurë tjetër kundërvajtëse për një shoqëri me shkelje serioze, pikërisht në pjesën e llogaritjeve dhe mënyrës së kalkulimit të kostove, në kundërshtim me ligjin”, shtoi Dimitrieska-Koçoska.

Ministrja tha se qëllimi i qeverisë nuk është mbyllja e drejtpërdrejtë e këtyre kompanive, por mbrojtja e qytetarëve.

“Disa shoqëri tashmë kanë kthyer më shumë para sesa ligjërisht kanë qenë të detyruara. Ndaj njërit prej tyre, përveç vërejtjes, do të jepen edhe udhëzime konkrete për hapat që duhet të ndërmarrë. Po i kushtojmë shumë vëmendje kësaj fushe dhe sigurisht që do të forcojmë më tej kuadrin ligjor rreth tyre,” u shpreh ajo.

Dimitrieska-Koçoska sqaroi gjithashtu se në këtë proces është përfshirë edhe zbulimi financiare përmes mekanizmave për parandalimin e pastrimit të parave, për të identifikuar treguesit e mundshëm të parregullsive.

“Për momentin nuk mund të japim shumë informacione, pasi ligji u lejon atyre të bëjnë pagesa në para të gatshme deri në 1.000 euro. Edhe për këtë aspekt po shqyrtojmë mënyra se si ta kufizojmë më tej,” përfundoi ministrja e Financave.