Vaksinimi po zhvillohet pa probleme në të gjitha pikat e vaksinimit në shtet, ndërsa në vijim është edhe vaksinimi në terren, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Përfshirë ditën e djeshme, janë vaksinuar gjithsej 737.060 qytetarë. Dozën e parë të vaksinës dje e kanë marrë 3.475 qytetarë, ndërsa dje janë vaksinuar gjithsej 13.037 qytetarë, informojnë nga Ministria e Shëndetësisë.
Në shtet deri tani janë aplikuar gjithsej 1.292.383 doza të vaksinave, ndërsa janë rivaksinuar 555.322 qytetarë.
“Me numrat e fundit 53 për qind e popullatës mbi 40 vjeç kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës dhe 29 për qind e popullatës mbi 18-39 është vaksinuar me të paktën një dozë të vaksinës”, theksohet në kumtesën e MSH-së.
Qytetarët pa termin të caktuar vaksinohen, në pikat ekzistuese të vaksinimit në shtet, derisa fëmijët prej 12 deri 18 vjet vaksinohen me pëlqim të prindërit.
Nga MSH-ja, përkujtojnë se vaksinat janë të sigurta dhe efikase dhe janë mënyra e vetme të mposhtet pandemia dhe se vetëm me vaksinim të plotë parandalohet forma e rëndë e sëmundjes dhe ulet mundësia e sëmundjes si dhe rastet e vdekjeve.
