Ditët e fundit të Trampit në Shtëpinë e Bardhë

TË FUNDIT

Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp dhe zonja e parë, Melani po i kalojnë ditët e fundit në paketimin e valixheve dhe gjërave të tjera personale dhe më së voni deri të mërkurën në ora 12.01 minutë sipas kohës së Amerikës Lindore, duhet ta lëshojnë Shtëpinë e Bardhë.

Tramp nesër do të largohet edhe nga Uashingtoni, edhe pse po kalon ditët e tij të fundit si shef i shtetit, opinioni nuk e ka dëgjuar atë për një kohë të gjatë. Në gjashtë ditët e fundit ai nuk ka caktuar asnjë ngjarje publike ose ndonjë takim zyrtar.

Të mërkurën, ai do të përdorë aeroplanin presidencial për herë të fundit dhe do të niset për në Florida, në rezidencën e tij private Mar-a-Lago, ku, sipas mediave amerikane, ai do të zhvendoset dhe do të vazhdojë të jetojë si banor i Floridas. Tramp ishte banues i Nju-Jork-ut kur mori detyrën në janar të vitit 2017.

Tramp po largohet me një rejting shumë të ulët pas trazirave që i la pas vetes në Uashington më 6 janar. Sipas sondazhit të fundit të “Kuinipiak”, popullariteti i presidentit ka rënë në 33 përqind, një rënie prej më shumë se 10 përqind krahasuar me dhjetorin e vitit 2020. Me këtë, ai do të mbahet mend si një nga presidentët e paktë në histori me një vlerësim kaq të ulët në fund të mandatit të tij të parë.

Në ndërkohë, demokratët në Kongres, kanë bashkuar një ekip ligjvënësish të cilët do të paraqesin prova në një përpjekje për të dënuar Tramp si pjesë e një vote të dytë të fajësimit kundër tij. Kjo do të ndodhë menjëherë pasi kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nenci Pellosi, i dërgoi lëndët për impiçment në Senat.

Parashikimet janë që Tramp nuk do të dënohet në Senat sepse dy të tretat e senatorëve duhet të votojnë për të. Konkretisht, për të pasur sukses në synimin e demokratëve, atyre do t’u duhen 17 vota nga republikanët.

Asnjë republikan deri më tani nuk është shprehur në mbështetje të dënimit, megjithëse disa kanë thënë se mund ta bëjnë këtë. Disa senatorë republikanë, të tillë si Tom Koton dhe Lindsi Grem, e shohin dënimin e një ish-presidenti si antikushtetues.

Edhe nëse dënohet, Tramp si president ka kompetencë të ndajë falje retroaktive, dhe ndoshta tani më e ka bërë atë. Sipas disa paralajmërimeve, sot ose nesër, ai duhet të japë rreth njëqind falje të tjera.