Për herë të katërt me radhë, në Shkup sot u organizua mbledhje për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Dhurimit të Organeve. Në prani të përfaqësuesve të institucioneve shëndetësore, mjekëve dhe pacientëve, organizatorët ndanë disa broshura në gjuhen shqipe dhe maqedonase, që kanë për qëllim vetëdijesimin dhe informimin e popullatës për transplantimin e organeve.
Kryetari i shoqatës “Nefron” tha fletushkat do të ndihmojnë edhe për pakësimin e spekulimeve sa i përket transplantimit. “Për të katërtën herë radhazi, këtë vit, me iniciativën tonë dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me Institutin për Shëndet Publik, nxorëm një broshurë të përkthyer në shqip dhe në maqedonisht që përmban informacione të shkurtra, e që mund të shërbejë për të parashtruar edhe pyetje të tjera, jashtë asaj që shpjegohet në broshurën “Le të flasim për këtë” të Këshillit Evropian”, informoi Lubinko Trpenoski, drejtues i shoqatës.
Ndërsa, drejtori i urologjisë Mihail Penev deklaroi se për akuzat e mosfunksionimit të duhur të klinikës ka shumë arsye. Një ndër më të rëndësishmet është se s’ka donorë të gjallë të organeve por edhe se po bëhet rinovimi i klinikës. Mirëpo, nëse do të kishte nevojë për ndonjë operacion urgjent, atëherë ata do të shfrytëzonin ndonjërën prej klinikave të kirurgjisë. “Së pari, nuk ka donorë të gjallë, ndërsa çiftet nuk mund të presin. Së dyti, aktualisht jemi duke bërë renovim të Qendrës për Transplantim, edhe pse jo në mënyrë gjenerale, megjithatë bëjmë rregullimin e tualeteve dhe të reparteve për dializë, ndërsa një kohë të gjatë kemi pasur probleme edhe me kanalizimin”, tha Penev.
Të pranishëm ishin edhe pacientët, të cilët kishin kryer transplantim të organeve. Angela Jovanoska është një prej atyre që kanë bërë transplantim të veshkës. Ajo thotë se falë babait të saj që është donori dhe falë mjekëve, ajo fitoi shansin e dytë për të jetuar. “Fitova mundësi të dytë për jetë, e kjo për mua është mundësi që të dëshmohem si nënë, të jetoj një jetë normale, falë prindërve dhe dashurisë së tyre”, theksoi ajo.
Organizatorët bëjnë thirrje që çdo qytetar të informohet saktë në lidhje me transplantimin e organeve. Në Maqedoni bëhet transplantimi i veshkave, i palcës kockore dhe i kornesë, ndërsa së shpejti pritet të bëhet i mundshëm edhe transplantimi i mëlçisë. Sipas tyre, çdo dhurim i organeve pas vdekjes shpëton të paktën shtatë jetë të tjera.
Besian Leka
