Ngritja e vetëdijes dhe mirëkuptimit për rëndësinë e larjes së rregullt dhe të plotë të duarve me sapun dhe ujë, si mënyrë më e lehtë dhe më e mirë për parandalim nga sëmundjet dhe parandalim të përhapjes së infeksioneve, është porosia e Ditës Botërore të Mbajtjes së Higjienës së duarve, që shënohet sot nën moton “Higjiena e duarve për të gjithë”.
Kjo ditë, siç bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë, është veçanërisht me rëndësi në kohën kur bota po përballet me pandeminë dhe përmes saj theksohet higjiena duarve si një ndër masat parandaluese themelore për mbrojtje nga virusi.
Në kontekst të parandalimit nga Covid-19, duart detyrimisht duhet të lahen shpesh, ndërsa veçanërisht pas prekjes së hundës, kollitjes apo teshtimës, pas vizitës në ambient të hapur, pranisë në transport publik, pas vizitës në tregje dhe objekte fetare, pas prekjes së sipërfaqeve jashtë shtëpisë, duke përfshirë edhe para, para, pas edhe gjatë kujdesit për persona të sëmurë, para dhe pas ngrënies, pas përdorimit të tualetit, trajtimit me mbeturina, prekjes së kafshëve dhe manarëve dhe të tjera.
Organizata Botërore e Shëndetësisë thekson se higjiena e shpeshtë dhe e plotë e duarve është një ndër masat më efektive për parandalim të diarresë, pneumonisë, por edhe të një sërë infektimesh të cilat mund të kenë edhe pasoja fatale, informojnë nga Ministria./MIA
