Me poezi dhe me lexim të librave në qendër të Tetovës u shënua dita ndërkombëtare e leximit. Organizatori tha se kjo ngjarje është edhe një mesazh për autoritetet se Tetova si qytet i dy universiteteve nuk ka asnjë hapësirë për lexim.
“Qyteti jonë është me dy universitet, pesë shkolla të mesme, dhjetëra shkolla fillore por ne nuk kemi një park të vetëm të lexojmë ose një leximore edhe ne sot japim një mesazh të fortë ku kërkojmë vend ku mund të lexojmë”, tha Adelina Mustafi – organizatore.
Nga biblioteka thonë se po punojnë në kushte të vështira në 200 metra katrorë. Gjylten Ajruli thotë se biblioteka e Tetovës është e para në Maqedoni me mbi gjashtë mijë lexues aktiv.
“Biblioteka numëron 6 mijë lexues aktivë, numër që është mjaftë i kënaqshëm, flas edhe për sektorin për fëmijë dhe për të rritur. Të frekuentohet biblioteka me 200 metra katrorë, pa sallë leximi pa asnjë kusht është një numër i volitshëm”, pohoi Gjylten Ajruli – bibliotekare.
Edhe nxënësit kanë ankesa. Ata kërkojnë që të ndryshohet programi shkollor dhe të vendosen libra me tematika më të reja për lexim.
“Në librat që kamë lexuar në bibliotekë kam hasur se ata janë me tematika të vjetra dhe unë si lexuese mendoj se dhe të këto tematika më të reja që ne si nxënës të jemi më të dhënë pas leximit dhe mësimit. Mendoj se duhet të ketë ndryshime se si nxënësit mësojmë dhe si arsimtarët i shpjegojnë mësimet e tyre”, tha Melisa Ziberi, nxënëse shkollës fillore.
Ndryshe në Tetovë nuk ka asnjë leximore. Objekti i bibliotekës ka filluar që të ndërtohet në vitin 2014, por i njëjti akoma nuk ka përfunduar.
