Zyrtarë nga disa shtete federale amerikane kanë paralajmëruar se fushata për përhapjen të dezinformatave nga jashtë para zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së mund të shkaktojë probleme, nga trazira të vogla në më të rënda.
Autoritetet përgjegjëse për sigurimin e zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së më 3 nëntor po marrin masa shtesë këto ditë, sepse pas zgjedhjeve, jo vetëm sulmet kibernetike por edhe dhuna është e mundur, njoftoi Zëri i Amerikës.
Departamenti i Sigurisë së Brendshme të Nju-Xhersit thotë se “rezultatet e zgjedhjeve, numërimi dhe rinumërimi i votave mund të çojnë në protesta ndërsa, në disa vende, përpjekje për të pushtuar qendra të votimit”.
“Trazirat civile mund të rezultojnë në trazira, dhunë dhe viktima dhe në kombinim me pasigurinë e zgjedhjeve, mund të çojnë në përplasje midis grupeve të ndryshme të protestuesve që sfidojnë rezultatet e zgjedhjeve,” tha institucioni.
Paralajmërime të tilla nuk bëhen lehtë, pasi Byroja Federale e Hetimit (FBI) ka zbuluar se një grup burrash po komplotojnë për ta rrëmbyer Guvernatorin e Miçiganit, Gretçen Vitmer, ndërsa gjithashtu është parashikuar edhe rrëmbimi i Guvernatorit të Virxhinias, Ralf Nortam.
Zyrtarët e zgjedhjeve amerikane janë të shqetësuar se procesi i ardhshëm zgjedhor nuk do të vijojë normalisht.
Autoritetet në Nju-Xhersi paralajmërojnë se shanset që diçka të shkojë keq rriten me vonesën në shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.
Në një skenar të tillë, i cili do të priste për muaj me radhë për rezultate, disa vende mund të jenë destinacione për “grupe të ndryshme që duan protesta të dhunshme që mund të rezultojnë në përplasje serioze dhe vdekjeprurëse midis protestuesve dhe ndërhyrjes së policisë”.
Në vitet e fundit, fokusi në SHBA ka qenë në kërcënimet virtuale dhe ndikimin e huaj, ndërsa këtë herë publiku nuk ka folur shumë për dhunën e mundshme.
Drejtori i FBI-së, Kristofer Rej, duke i komentuar protestat në qytetet amerikane, tha se “trazirat dhe konfliktet po përhapen në të gjithë vendin” dhe se “kjo mund të çojë në dhunë dhe veprimtari kriminale”.
Një përfaqësues i FBI-së për Zërin e Amerikës deklaroi se përgatitjet për zgjedhjet do ta marrin parasysh situatën aktuale në vend dhe janë “voluminoze”.
FBI po punon me shumë shtete për ta parandaluar dhunën e mundshme, në Luiziana, Nju Meksiko, Ohajo dhe Nju-Xhersi.
Nëse shtetet nuk arrijnë vetë të ballafaqohem me dhunën, ata mund ta thërrasin Gardën Kombëtare për ndihmë. Në disa shtete, të tilla si Nju-Xhersi, Garda Kombëtare është tashmë në terren duke punuar për ta siguruar numërimin e votave.
Përveç përgatitjeve të sigurisë, zyrtarët thonë se është e rëndësishme të informohet publiku në kohë për rezultatet e zgjedhjeve, të cilat me siguri do të shtyhen këtë vit për shkak të votave të marra me postë. Këtë herë, një numër dukshëm më i madh i qytetarëve do të votojnë me postë ndryshe nga zakonisht, për shkak të epidemisë së koronavirusit të ri.
