“Diplomaci e blertë” nga një shtet me deponi! MPJ me nismë për kujdes më të madh për mjedisin!

TË FUNDIT

Me biçikleta dhe trotinetë elektrikë u nisën nga vendi i punës drejt parkut të qytetit, për të treguar se Ministria e Punëve të Jashtme po bëhet e gjelbër. Për ta kumtuar këtë doli vetë Ministri Bujar Osmani me një pjesë të kabinetit. Tregoi se çfarë do të ndërmarrin që në ministri të kursehet energjia dhe të mos përdoret plastika. Për të arritur qëllimin tha se janë parë edhe përvojat evropiane, por çfarë do të bëhet me deponitë e egra që i gjen në shumë vendbanime?

 “Kjo është edhe ideja pse diplomacinë po e shndërrojmë në të gjelbër. Për shkak se deri më tani është kuptuar se vetëm Ministria e Ambientit Jetësor duhet të mirët me çështjet e ekologjisë. Dhe prandaj thash në fillim ndryshimet klimatike janë shumë me tepër se sa ambient jetësor janë edhe siguri energjetike janë edhe mënyrë e bërjes ekonomike dhe rritjes ekonomike”, tha Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.

Osmani tregoi edhe se do të emërojë ambasador për çështje klimatike, kompetencat e të cilit do të jenë promovimi i politikave vendore dhe ndërkombëtare për ruajtjen e mjedisit jetësor.

 “Ne kemi vizion për t’u bërë vendi i parë në rajon, i cili do të sigurojë mjedis të qëndrueshëm pune në Ministri, por edhe në rrjetin diplomatik në pesë vitet e ardhshme. Përmes “Diplomacisë së blertë – normales së re”,  Ministria do të përpiqet që përmes hapave të listuara dhe projekteve serioze ta arrijë këtë transformim ambicioz”, shtoi ministri i Jashtëm Bujar Osmani.

E quajtur “Diplomacia e Blertë”, Osmani paralajmëroi zero plastikë në Ministrinë e Jashtme dhe në gjithë rrjetin diplomatik, shfrytëzim i transportit publik, biçikletave dhe trotineteve për takimet e përditshme.