Maksim Dimitrievski nuk do të jetë kandidatë i LSDM-së për Kumanovën. Ai duke parë se nuk ishte në planet e partisë vendosi të garojë vet si i pavarur për Kumanovën. Në një konferencë për media nga kumanovarët kërkoi edhe një mandat 4 vjeçar, ndërsa u shpreh i kënaqur nga mbështetja qytetare që deri tani ia kanë dhënë.
“Dua që me këtë rast të falënderoj të gjithë qytetarët të cilët në 3 orët e kaluara e mbështetën këtë iniciativë dhe dhanë mbështetje masive. Kjo për mua është një motiv më shumë që të vazhdoj me angazhimet dhe që së bashku ta zhvillojmë Kumanovën dhe së bashku ta zhvillojmë demokracinë në shtetin tonë”, tha Dimitrievski.
Dimitrievski tha se nuk ka informacion të saktë, se pse kreu i partisë Zoran Zaev nuk e mbështeti, por theksoi se ka vendosur të dalë si i pavarur me kërkesë të qytetarëve dhe një numri të madh të socialdemokratëve. Por a do të thotë kjo se Dimitrievski po largohet nga LSDM?
“Nuk pres dhe nuk mendoj që do të largohem nga partia, por sido që të jetë partia ka statut ka organet e veta dhe ajo duhet të vendose. Ajo që për mua është prioritet në këtë moment është Kumanova dhe qytetarët e saj”, deklaroi Dimitrievski.
Për kandidaturën e Dimitrievskit kanë reaguar nga LSDM. Thonë se Dimitrievski me vendimin për të garuar si i pavarur, ia ktheu shpinën qytetarëve dhe përkrahësve të LSDM -së.
“Ai që ua kthen shpinën qytetarëve, mbështetësve të opsionit demokratik dhe progresiv, anëtarësisë dhe bazës së LSDM-së, nuk mund të jetë opsioni më i mirë për kumanovarët. Për LSDM-në, interesi i qytetarëve të Kumanovës ka qenë dhe do të jetë gjithmonë para interesit të Maksim Dimitrievskit apo interesit të cilitdo”, thanë nga LSDM-ja.
Në Kumanovë në garë për kryetar komunë nga LSDM siç duket janë dy pjesëtarë të kësaj partie, si deputeti Martin Kostevski dhe drejtori i SHA “Ekonomia e ujërave” Oliver Ilievski. Ilievski e ka bërë të ditur se do të kandidoj për Kumanovën, ndërsa në rrjetin e tij në Facebook veç më ka filluar me fushatën zgjedhore.
Edhe Kostevski në disa fotografi në rrjetet social vërehet se ka filluar me takimet me qytetarët e Kumanovës. Pothuajse dy dekada Kumanova ishte e LSDM-së. Paraardhës i Dimitrievskit ishte Zoran Damjanovski. Nga ana tjetër opozitarja maqedonase VMRO-DPMNE ka shpallur kandidaturën për qytetin e Kumanovës, ku këtë herë do të garojë me aktorin Toni Mihajlloski.
