Dikur stadium i KF “Zajazi”, sot deponi mbeturinash

TË FUNDIT

Kjo është rruga që të çon drejt stadiumit të Zajazit.
Në këtë stadium dikur Klubi i Futbollit Zajazi zhvillonte ndeshje, por sot është shndërruar në një deponi mbeturinash.
Në vitin 2011, Agjencia për rini dhe sport kishte ndarë mjete për rikonstrumin e stadiumit, ndërsa tenderin e kishte fituar një kompani nga Zajazi. Si duket përveç një objekti të vogël, i cili tashmë është shkatërruar aty nuk është bërë asgjë tjetër.
Disa herë kërkuam hollësi tek Agjencia për Rini dhe Sport, por nuk morëm përgjigje.

“Jemi në stadiumin e Zajazit, dikur ka funksionuar dhe janë zhvilluar ndeshje të rëndësishme në këtë vend, por sot fatkeqësisht ky vend është krijuar në një deponi mbeturinash, të gjithë banorët e fshatit vijnë dhe i hedhin këtu mbeturinat, ndërsa nga autoritet nuk është ndërmarrë asgjë konkrete për tu pastruar dhe për tu bërë sërish aktiv për zhvillimin e ndeshjeve”, thotë Salije Sadiku, gazetare.

Kjo nuk është deponia e vetme e krijuar në zonën e Zajazit. Një tjetër deponi është krijuar rreth rrugës në fshatin Zajaz Tunell. Rruga mbi fshat është mbushur me mbeturina dhe mbetje ndërtimore që sillen aty me kamionë.

“Jemi në rrugën Zajaz Tunell në fshatin Zajaz të Komunës së Kërçovës, siç mund ta shihni prapa meje në këtë rrugë është krijuar një deponi e madhe por jo vetëm këtu, siç mund ta shihni edhe nga pamjet më herët, këtu të gjithë banorët hedhin mbeturina, por siç pohuan banorët edhe fshatrat e tjerë sjellin mbeturina dhe i hedhin këtu. Këtu ka edhe mbetje materiale nga ndërtimet të cilat hidhen me kamionë. Banorët janë në hall të madh dhe presin një zgjidhje për këtë problem”, thotë më tej gazetarja Sadiki.

Deponi të këtilla të krijuara vend e pa vend në Komunën e Kërçovës mund të gjesh kudo. Duke mos pasur zgjidhje tjetër banorët mbeturinat i hedhin ku u vjen më lehtë.