Dikujt po i pengon barazia etnike? Osmani: Oligarkë maqedonas po alarmojnë për ndikimin e shqiptarëve

TË FUNDIT

Oligarkë maqedonas dhe liderë politik e ish liderë janë pjesë e Qendrës hibride politiko-ekonomike për të cilën Bujar Osmani foli para disa ditëve. I ftuar në “Summer Click” në TV21 Osmani tha se  para disa muajve në periferi të Shkupit kjo qendër është mbledhur për të diskutuar siç thonë ata, ndikimin e shqiptarëve në jetën publike dhe ekonomike.

 “Para disa muajve, diku këtu në periferi të Shkupit është mbajtur një takim, ndërmjet disa oligarkëve maqedonas dhe liderëve politik, të tashëm dhe ish liderë politik, duke ngritur alarmin, apo duke konstatuar se shqiptarët po marrin më shumë se sa u takon, ose po e zhbëjnë monopolin politiko-ekonomik të komunitetit maqedonas dhe ata dakordohen të krijojnë një qendër nacionale që të ndërpresin këtë proces të, siç e quajnë ata, shqiptarizimit të shtetit dhe në analizën e tyre, këto janë indikacione shumë kredibile, BDI-në e lidhin si paradigmë ose sinonim të asaj barazie etnike, të atij pozicioni të shqiptarëve”, tha Bujar Osmani, nënkryetar i BDI-së.

Nga ana tjetër Osmani thotë se çdo sulm qoftë ai i opozitës maqedonase apo i asaj shqiptare tregon në fakt se BDI është në të drejtë.

“Çdo sulm kundër BDI-së neve na bën vetëm më të fortë dhe më të bindur se jemi në të drejtë dhe prandaj janë të shqetësuar të gjithë. Shikoni opozita maqedonase thotë BDI kontrollon Qeverinë, po shqiptarizohet gjithçka. Opozita shqiptare thotë BDI nuk bën asgjë. Prandaj jemi shumë konfident se njerëzit e shohin dhe e dinë se kush mundet, kush ka parime, kush ka vizion, lidership dhe kapital njerëzor dhe kapital njerëzor që nuk e ka askush tjetër”, shtoi Osmani.

Sipas Osmanit opinioni publik tregon se BDI është e pakontestueshme sa i takon rejtingut të përgjithshëm, ndërsa theksoi se janë të gatshëm që me çdo kusht të çojnë përpara frontin europian që do të sigurojë jetë më të mirë për qytetarët.