Dhjetëra të vdekur nga sulmet ruse në bazën ushtarake afër Polonisë

TË FUNDIT

Të paktën 35 persona kanë vdekur dhe 134 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve ajrore ruse në një bazë ushtarake të Ukrainës afër kufirit me Poloninë, ka thënë guvernatori rajonal i Lvivit, Maksym Kozytskiy.

Sipas tij Rusia ka hedhur 30 raketa në bazën ushtarake në Javoriv.

“Pushtuesit kanë nisur sulme ajrore në Qendrën Ndërkombëtare për Ruajtje të Paqes dhe Sigurisë” në Javoriv, ka thënë administrata ushtarake e rajonit të Lvivit, në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale.

Objekti 360 kilometra katrorë është më pak se 25 kilometra larg kufirit polak dhe një prej qendrave më të mëdha në pjesën perëndimore të Ukrainë.

Ukraina mban aty shumicën e stërvitjeve me vendet anëtare të NATO-s.

Ministri i Mbrojtjes në Ukrainë, Oleksii Reznikov, ka thënë se instruktorë të huaj ushtarakë punojnë në një bazë ushtarake në Ukrainë, e cila është goditur nga Rusia.

“Informacioni për viktima është duke u verifikuar”, ka thënë Reznikov.

Një dëshmitar ka thënë për agjencinë e lajmeve, Reuters, se ka parë 19 ambulanca me sirena të lëshuara duke lëvizur nga drejtimi i bazës ushtarake.

“Ky është një tjetër sulm terrorist ndaj paqes dhe sigurisë afër kufirit të Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, ka thënë Reznikov në Twitter.

Ndaras këtij njoftimi, kryetari i qytetit Ivano-Franvisk në perëndim të Ukrainës, ka thënë se aeroporti i qytetit është shënjestruar nga sulmet.

“Sipas informacionit preliminar, shpërthimet e këtij mëngjesi janë dëgjuar pas sulmeve në aeroport”, ka thënë kryetari i qytetit, Ruslan Martsinkiv në një postim në Facebook.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar forcat ruse se përballen me luftime deri në vdekje nëse tentojnë të pushtojnë kryeqytetin Kievin, banorët e të cilit janë zgjuar nga sirenat.