Deskoska për Ligjin për PP, “Ende bëhen përpjekje për arritjen e konsensusit”

TË FUNDIT

Ende nuk është caktuar takim i ri i grupeve të punës për Ligjin e Prokurorisë Publike. Grupet kanë kontakte të vazhdueshme jo formale, informoi sot Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska, raporton TV21.

Ajo shtoi se edhe më tej po bëjnë përpjekje që të arrihet konsensus me VMRO-DPMNE-në për ligjin për PP dhe procesi të rrumbullakohet në Kuvend.

Takimi i fundit i grupeve të punës u mbajt ditën e hënë. Takimi zgjati shumë pak dhe nuk u arrit marrëveshje.

Atëherë, Deskoska dhe deputeti Antonio Milloshoski, nga VMRO-DPMNE, theksuan se mes tyre ka dallime thelbësore në qëndrimet dhe se do të lënë hapësirë që partitë përsëri të shqyrtojnë të gjitha pikat me qëllim të njëjtat të harmonizohen.

Takimi i të hënës ishte i pari pas takimit të liderëve mes Zaevit dhe Mickoskit që u mbajt në fillim të këtij muaji dhe nga i cili nuk pat asnjë konkluzion.

“Ende nuk kemi planifikuar një takim. Ka kontakte joformale të cilat vazhdojnë vazhdimisht. Pra, ato nuk janë takime të të gjitha grupeve të punës, por të individëve nga ekipet negocuese. Ne ende po mundohemi të arrijmë një konsensus brenda Kuvendit edhe me grupin e deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe ende nuk po shkojmë me një mundësi tjetër, sepse besojmë se duhet të arrihet një konsensus i përbashkët për ndërtimin e reformave në fushën në gjyqësorit, në segmentin e Prokurorisë Publike”, deklaroi Renata Deskoska, ministre e Drejtësisë.