Dëshmi për rastin “Target-Fortesa”, Viktimat kërkojnë miliona euro dëmshpërblim

TË FUNDIT

Ish shefi i policisë sekrete Sllobodan Bogoevski, në seancën e sotme dëshmoi për lëndën Target-Fortesa, që ka të bëjë me për përgjimet e paligjshme. Ai tha se nga të punësuarit në Drejtorinë për Siguri Kombëtare e ka kuptuar se ai po përgjohej. Bogoevski tha se në periudhën që ka qenë i përgjuar ka punuar si konsultant në një kompani private, ndërsa ish kolegët e tij e kishin paralajmëruar që të ketë kujdes çka flet dhe me kë takohet, sepse ai ishte përndjekur edhe fizikisht. Bogoevski tha se do të kërkojë një milion euro dëmshpërblim për ndjekjen që i është bërë.

“Ky nuk është rast i ndjekjes së komunikimeve, nga ndonjë njeri kurioz që dëshiron të shikojë në privatësinë e dikujt tjetër, por sistem shtetëror për ndjekje të paligjshme të komunikimeve, të motivuar nga qëllime kriminale, politike, ekonomike dhe të tjera. Si të tillë duhet të ketë zgjidhje të shpejtë”, u shpreh Sllobodan Bogoevski – ish-shef i policisë sekrete

Drejtori ekzekutiv i Bankës Komerciale, Hari Kostov tha se nga PPS ka mësuar se po përgjohej. Kostov thotë se dëme personale nga përgjimet nuk ka pasur por mund të kenë pasur kompanitë të cilët kanë bashkëpunuar me bankën.

 “Unë nuk po flisja për dëmet në bankë, por për dëmet ndaj klientëve të bankës të cilët, kur marrin pjesë në ankand, përgjuesi mund të dijë se cila është garancia, për cilën shumë të garancisë bëhet fjalë, dhe të japin një ofertën konkurruese dhe kështu të marrin punë me një dallim të vogël në çmim”, theksoi Hari Kostov – Drejtor ekzekutiv i Bankës Komerciale.

Ndërsa avokati Zvonko Davidoviq tha se në vitin 2009 kishte dyshimin se ai po përgjohej sepse siç tha Davidoviq, ai dhe miqtë e tij duke qëndruar në kafe disa herë janë filmuar nga një person i panjohur.

 “Në vitin 2009 ose 2010 nuk e mbaj mend saktë vitin, mora vesh nga prokurorja Lile Stefanova, kur fillova hetimin paraprak të rastit ” Likuidimi “ ajo më tha se nuk mund të jem avokat mbrojtës i atij rasti, por do të jem dëshmitari i tyre sepse kishte regjistrime, transkriptime për mua”, potencoi Zvonko Davidoviq – Avokat.

Të gjithë dëshmitarët e përgjuar kanë kërkuar me miliona euro nga shteti si dëmshpërblim për atë që janë ndjekur dhe përgjuar në mënyrë të paligjshme, ndërsa të akuzuar për përgjimin e paligjshëm janë Sasho Mijallkov, Gordana Jankulloska e cila u soll në gjykatë nga burgi i Idrizovës, si dhe i arratisuri Goran Grujevski dhe disa persona të tjerë nga DSK-ja.