Derkoski: Gjithçka është gati për votim, KSHZ do të shpërndajë maska për votuesit që nuk do të kenë

TË FUNDIT

Dezinfektimi i vendvotimeve është kah fundi, kurse të gjitha përgatitjet e tjera kanë përfunduar, thotë për TV21 njeriu i parë i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Oliver Derkovski. Por, edhe votuesit do të duhet t’u përmbahen masave – të mbajnë distancë prej 2 metrave, t’i dezinfektojnë duart gjatë hyrjes dhe daljes nga vendvotimi dhe të mbajnë maskë mbrojtëse. Për këtë, KSHZ-ja bëri edhe simulim të procesit të votimit.


“Gjatë kësaj periudhe, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve siguroi pajisje të mjaftueshme mbrojtëse për shëndetin e njerëzve, duke përfshirë maska mbrojtëse dhe doreza për këshillat zgjedhore dhe dezinfektues në sasi të mjaftueshme. Sigurisht se çdo Këshill Zgjedhor do të ketë një sasi të caktuar maskash, nëse ndonjë votues vjen pa maskë, atij do t’i jepet një maskë në mënyrë që të mund ta realizojë të drejtën e tij të votës”, tha Oliver Derkoski, kryetar i KSHZ-së.

Për shkak të situatës me koronavirus, disa vendvotime ku nuk mund të sigurohet hapësirë ​​e mjaftueshme, do të zhvendosen, diku në sallat e shkollave, kurse kishte edhe paralajmërime se diku votimi mund të zhvillohet edhe në ambient të hapur.


“Në rreth 150 vendvotime janë bërë disa ndryshime. Nuk është bërë ndryshim i vendvotimeve, por vendndodhja. Domethënë pranë vendvotimit të vjetër u përcaktua një lokacion i ri në një sallë sportive, në hapësirë tjetër më të gjerë, ose në një shkollë ku ka kushte të përshtatshme për ta organizuar votimin”, theksoi kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkoski.

Ditë specifike është edhe dita kur do të votojnë të infektuarve me Covid 19 të cilët janë në izolim. 747 pacientë do të votojnë të hënën. Tashmë janë zgjedhur këshillat e posaçëm zgjedhor, të cilët do të përfshijnë punëtorë shëndetësorë dhe përfaqësues të partive politike.


“Të hënën këshillat në fjalë maksimalisht do të pajisen me pajisje mbrojtëse, përfshirë skafandra, vizirë, doreza, maska mbrojtëse. Çdo Këshill do t’i vizitojë personat e paraqitur për votim dhe pas përfundimit të procesit të votimit secili person do ta ndryshojë pajisjen mbrojtëse”, deklaroi Oliver Derkoski, kryetar i KSHZ-së.

Derkoski publikisht u bëri thirrje votuesve që të mos kenë frikë për sigurinë e tyre dhe të dalin në votim. Është e qartë se situata me koronavirus po ndikon mbi qytetarët, tha ai, por edhe një herë përsëriti se – dalja në vendvotim është më e sigurt se vizitat e përditshme në dyqane. Përveç të hënën, votim do të ketë edhe të martën kur të drejtën e tyre vote do ta realizojnë të sëmurët, si dhe ata që janë në burg dhe në paraburgim shtëpiak. Më 15 korrik, votimi do të fillojë në orën 7 të mëngjesit dhe do të përfundojë në 21 dhe kjo ditë do të jetë ditë jopune.