DERI NË MAJ DO TË KETË AKUZË PËR ORGANIZATORËT, RUSKOSKA: NUK BESOJ SE DO TA MARRË NË PYETJE GRUEVSKIN

TË FUNDIT

Më së voni deri në maj pres që të ngrihet aktakuzë për organizatorët e ngjarjeve në Kuvend, më 27 prill të vitit 2017, deklaroi prokurorja Villma Ruskoska, duke shtuar se nuk pret që së shpejt t’i ofrohet mundësia që të marrë në pyetje edhe ish-kryeministrin, Nikolla Gruevski, i cili është në arrati.  Ajo nuk deshi që të saktësojë se cili është profili i dëshmitarëve që i ka marrë në pyetje. Në lidhje me reagimet e një pjese e të arrestuarve të kësaj lënde, që vlerësojnë se masa e paraburgimit është e pabazuar dhe se deri më tani nuk kanë qasje deri te provat, Ruskoska tha se Gjykata duhet të vlerësoj se a është paraburgimi i bazuar apo jo.

“Një pjesë të dëshmitarëve që planifikova t’i marrë në pyetje, i mora në pyetje. Këtë javë merren në pyetje të akuzuarit. Javën e ardhshme ndoshta do të merrem vesh me palën mbrojtëse që  t’i kontrollojnë provat, ndërsa do të shoh nëse duhet të merret në pyetje edhe ndonjë dëshmitar tjetër, pas çka do ta përfundoj hetimin”, potencoi Prokurorja, Villma Ruskoska.