Korona virusi ishte test edhe për BE, vlerësojnë ekspertët duke shtuar se BE-ja nuk është vetëm Union për interesa ekonomik dhe politik, por në këtë moment Evropa duhet të jetë Union i personave që solidarizohen së bashku.
“Absolutisht jo, është e pamundur një gjë e tillë edhe sikur të ulen rrogat në administratë dhe të gjitha shpenzimet e mundshme, është e pamundur të dalim nga kjo krizë pa ndihma financiare ose subvencione”, tha Gadaf Rexhepi, profesor.
A ka Maqedonia krizë financiare të shkaktuar nga pandemia e korona virusit? Kësaj pyetje iu përgjigj në EU KLIK profesori Gadaf Rexhepi.
“Ne kemi për momentin shok ekonomik por s’kemi krizë financiare, kjo është shumë me rëndësi, kur ke krizë ekonomike dhe krizë financiare të dyja bashkë, atëherë është shumë më vështirë edhe kur të kalojë kriza të rikuperohet ekonomia”, tha Gadaf Rexhepi, profesor.
Drejtori i Qendrës për menaxhim me kriza, thotë se deri më tani kanë kaluar shumë, por se nuk e kanë menduar se një ditë do të përballen me armik të tillë.
“Asnjëherë nuk më kishte shkuar mendja që në shekullin 21 pandemia të jetë shkak për të kërkuar masa të jashtëzakonshme të cilat i kemi ndërmarrë”, tha Agron Buxhaku, Drejtor i QMK.
Nga Kryqi i Kuq thonë se u ndihmojnë qytetarëve por edhe institucioneve për tu përballur me krizën. Drejtori shton se Evropa dhe organizatat tjera botërore nuk ishin të gatshme për një krizë të tillë.
“Në fillim aktivitet tona ishin të përqëndruara në ndihmë e cila ju jepej personave të cilët ishin në izolim shtëpiak dhe vetëizolim, pastaj kaluam në një fazë tjetër e cila nënkuptonte asistencë të organeve shtetërore në kufitë e shtetit në përpilimin e të ashtuquajturave anketa epidemiologjike, pastaj pasi u mbyllën kufinjtë aktivitetet tona u përqëndruan në sigurimin e ndihmës humanitare”, tha Sait Saiti, Kryqi i Kuq.
Në EU KLIK u bisedua edhe për çmimin e naftës që javën e mëparshme për herë të parë në histori ra nën 0 dollarë. Profesori Rexhepi tha se për qytetarët më tragjike duhet të jetë rritja e borxhit, për shkak se, sipas tij, është interesant fakti që kur shteti merr borxh prej 100,200, 500 milion eurove, kjo te qytetarët kalon shumë lehtë, por kur bëhet fjalë për rritje të akcizës për 3 denarë, menjëherë reagojnë.
