A do të zgjidhet problemi me transportin publik të Shkupit? Procedura për trenin urban i cili do t’i lidhë pikat skajore të Shkupit ka përfunduar dhe shumë shpejt pritet që realizuesi të fillojë punimet për linjën e parë të këtij projekti. Ministri për transport Aleksandar Nikolloski në emisionin Klik Plus në TV21 shpjegoi se si do të funksionojnë linjat.
“Për vënien në funksion të linjës së parë të trenit urban e cila do të shkojë nga Zelenikova, përmes Draçevës, përmes Lisiçes së re, Kisella Vodës, Aerodromit dhe do të përfundojë në stacionin e ri hekurudhor, ndërsa tashmë në fazën e dytë vitin e ardhshëm do t’i ndërtojmë edhe dy linjat e tjera, që do të thotë se tashmë këtë vit ne do të kemi tren urban funksional në një të tretën e Shkupit, ndërsa në dy të tretat do të punojmë vitin e ardhshëm të cilat më pas do t’i lidhim me autobusët e NQP-së”, tha Aleksandar Nikolloski.
Nikolloski këto ditë ishte edhe në vizitë zyrtare te fqinji ynë jugor dhe ka biseduar me kolegët grekë për hekurudhën e shpejtë, e cila do të shkojë nga portet greke përmes vendit tonë drejt Evropës. Me këtë projekt dy ndërmarrjet tona hekurudhore – Infrastruktura dhe Transporti – do ta rrisin të ardhurën për 10 herë, ndërsa përgjatë linjës do të hapen zona ekonomike, tha Nikolloski.
“Në ndërtimin e një hekurudhe të shpejtë mbi të cilën trenat e mallrave do të lëvizin me 120 kilometra në orë dhe do të mund të kenë gjatësi prej 750 metrash, kjo është tre të katërtat e një kilometri, kështu thjesht për pamje, do të thotë se shumë më tepër mall do të shkojë përmes porteve greke dhe të importohet nga Evropa por edhe të eksportohet nëpër Evropë, që do të thotë në të dy drejtimet. Që plotësisht do ta ndryshojë pamjen dhe ekonominë në të gjithë këtë rajon sepse përgjatë linjës së hekurudhës së shpejtë do të zhvillohen zona ekonomike nga ana e majtë dhe e djathtë”, tha nikolloski.
Sa i përket autostradës Shkup-Bllacë, Nikolloski njoftoi se do të fillojë të ndërtohet në fillim të vitit të ardhshëm dhe duhet të përfundojë për tre vjet, pra deri në fillim të vitit 2029. Afati për dorëzimin e ofertave skadon më 30 shtator, pas së cilës së bashku me BERZH-in do të bëhet përzgjedhja dhe më së voni deri në fund të këtij viti do të fillojnë punimet.
