DERI KUR ME GJUHË TË URREJTJES? TONOVSKI: DERISA S’MERREN MASA DO KEMI SITUATATA TË PAKËNDSHME

TË FUNDIT

“Vdekje për shqiptarët”, “Shqiptarë të mjerë” dhe “Maqedoni e pastër”, ishin vetëm disa nga thirrjet që u që dëgjuan mbrëmë në qendrën e qytetit të Shkupit,  gjatë festimeve për titullin Kampion Evropian që e fitoi Vardari. Vardari nuk u përballë me ndonjë ekip shqiptar dhe shqiptarët asgjë nuk kishin të bëjnë me atë që ndodhi dje, megjithatë sërish shqiptarët ishin target e fyerjeve nacionaliste. Por deri kur ky fenomen do të jetë i pranishëm në vendin tonë?

Sociologu Gjorgje Tonovski thotë se gjuha e urrejtjes nëpër festime të tilla është për të ardhur keq, sidomos kur kemi një rast për të festuar. Ai thotë se qëllimi i vetëm i kësaj është prishja e qetësisë dhe sigurisë në vend.

“Sipas eksperiencës tonë ajo urrejtje në fakt çon deri tek një shkallë më e lartë e jo tolerancës. Mos tolerancën e cila përderisa nuk kontrollohet dhe përderisa nuk merren masa konkrete mund të na shpije deri tek situatat të pakëndshme që dinë të ndodhin në vendin tonë. Atë qe e pamë mbrëmë duhet që urgjentisht të aktivizohen masa të fuqishme të cilët do të ulnin jo vetëm gjuhën e urrejtjes por edhe mos tolerancën e cila ka filluar të na shkatërroj indet e shoqërisë”, u shpreh sociologu, Gjorge Tonovski.

Për ngjarjet e mbrëmshme ka reaguar edhe i pari i qytetit të Shkupit, Petre Shilegov. Ai  apelon që të gjithë tifozët të qëndrojnë larg gjuhës së urrejtjes dhe sporti të bëhet element që na bashkon.

“Me lejoni të apeloj deri tek të gjithë tifozët, simpatizantët dhe adhurues të Vardarit, me dinjitet, pa diskriminime, pa ndarje të presim ekipin sepse sporti është çështje  mbi politikën dhe Vardari është mbi politikën dhe askush të mos mundohet nga kjo të  nxjerrë pikë politike”, theksoi kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.

Nëpërmjet kumtesës reagoi edhe Komiteti i Helsinkit. Nga aty dënojnë ashpër nxitjen dhe shkaktimin e dhunës ndëretnike, inkurajojnë qytetarët të cilët gjatë ditës së djeshme ishin dëshmitarë ose viktimë të gjuhës së urrejtjes ta denoncojnë rastin e tyre në Komitetin e Helsinkit.

“Bëjmë apel deri tek Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Themelore Publike që të hetojnë këto raste dhe të ndërmerr të gjitha masat sipas normativave ligjore. Komiteti i Helsinkit edhe më tej do të ndjek zhvillimin e ngjarjeve lidhur me brohoritjet ofenduese dhe diskriminuese dhe në mënyrë të rregullt do t’i njoftojë institucionet për veprim të mëtutjeshëm dhe sanksionim të këtij fenomeni negativ”, potencojn nga Komiteti i Helsinkit.

Gjatë kohës së festimeve janë dëmtuar edhe disa vetura, janë arrestuar 5 të mitur nga mosha 14-17 vjeçare dhe një 36 vjeçare për prishjen e rendit publik. Nga MPB thonë që do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të mbajtur rendin publik.

“MPB do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e rendit publik gjatë pritjes së kampionëve tanë dhe ashpër do të sanksionohet çdo lloj shkaktimi i incidentit, siç u bë edhe në festimin e mbrëmshëm. Apelojmë deri tek qytetarët të mos përdorin parulla ofenduese apo këndim të këngëve me të cilat shpërndahet urrejtje, sepse do të sanksionohen. Apelojmë të mos përdorin mjete piroteknike, siç ndodhi mbrëmë kur një vajzë mori lëndime të rënda nga ato mjete”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Ndaj gjuhës së urrejtjes reagoi edhe Qendra per liri Civil, nga ku dënuan të gjitha format e nxitjes së dhunës, gjuhës së urrejtjes dhe nxitjes së urrejtjes ndëretnike.

Përgatiti: Valmira Zendeli