Deputeti i Alternativës Ismaili thotë se Komuna e Tetovës po realizon biznese milionëshe me persona antieuropianë

TË FUNDIT

Deputeti i Alternativës, Hysni Ismaili, në një konferencë për media ka pohuar se vetëm një ditë pasi u votua qeveria e re (më 31 gusht) Komuna e Tetovës, e ka ndryshuar Planin Detal Urbanistik, duke mundësuar një ndërtim që do ta ketë fitimin jo më pak se 200 milionë euro.

“Duke e pasur një informacion të këtillë dhe duke e ditur se pronari i atij lokacioni është një person i njohur për agjendat antieuropiane dhe antiatlantike, shtrohet pyetja se mos ai ishte kumbara i formimit kësaj qeverie dhe a mos ky ishte çmimi që i bëri bashkë ata që gjatë fushatës parazgjedhore e shanin njëri-tjetrin?”, pyeti Ismaili.

Përveç kësaj, deputeti i Alternativës, më pas kërkoi që kryetarja e Tetovsë, Teuta Arifi të përgjigjet “se kush është përfituesi më i madh i këtij biznesi dhe kujt i shërben ky biznes”?

“Ajo dhe stafi i saj duhet t’i përgjigjen opinionit se për çfarë çmimi është bërë ky ndryshim, kush janë përfituesit e vërtetë dhe pse Komuna e Tetovës realizon bashkëpunim të këtillë me persona që janë financues të agjendave antieuropiane dhe antiatlantike? A mos ndoshta këto mjete do të shpenzohen për agjenda të këtilla dhe nëse po, çfarë e lidhë këtë qeveri dhe këtë staf drejtues të Komunës së Tetovës me këto agjenda? Nëse këto janë parimet mbi të cilat do të funksionojë kjo qeveri dhe pushteti i saj lokal në Tetovë, nuk mund të mos konstatojmë se qeverisja e binomit LSDM-BDI është e zhytur thellë në krim dhe korrupsion, ndërsa – më keq se kaq – ajo punon fshehurazi ose publikisht për agjenda që janë kundër interesave strategjike shqiptare dhe shtetërore” tha Ismaili.