Në fund të shtatorit ose tetorit Bundestagu i Gjermanisë do të japë dritë jeshile për negociatat aderuese për Maqedoninë e Veriut me BE-në. Këtë e konfirmoi Josip Juratoviq, anëtar i delegacionit të deputetëve të Bundestagut të Gjermanisë të cilët sot ishin në vizitë të Kuvendit të Maqedonisë së Maqedonisë. Juratoviq theksoi se vendi ynë ka arritur shumë në vitin e fundit dhe tha se kjo është dritë në tunelin e projektit të paqes. Andaj, siç tha ai, nuk ka dyshim se vendi ynë duhet të shpërblehet, por për shkak të pushimeve vjetore ky vendim do të sillet në vjeshtë. Shkrimet e disa prej mediave se qeveria e Gjermanisë nuk pajtohet për fillimin e negociatave i hodhi poshtë, dhe tha se mediat nuk e përfaqësojnë qeverinë e Gjermanisë.
“Në seancën e parë kjo nuk ishte në rendin e ditës, do të jetë në seancën e ardhshme, në fund të qershorit, pas këshillit të BE-së, pas çka vijojnë pushimet vjetore. Në seancën e parë do të debatohet për buxhetin. Kjo do të thotë se seanca e ardhshme e Bundestagut do të mbahet në shtator apo tetor. Do të votohet në vjeshtë dhe jam i bindur se Bundestagu do të japë dritë jeshile për RMV-së sepse ajo e meriton këtë. Kjo është thirrja ime deri te të gjithë demokratët në BE, për shkak se në këtë mënyrë në RMV respektivisht në rajonin e Ballkanit Perëndimor do të mbështeten proceset demokratike”, theksoi Josit Juratoviq, deputet i Bundestagut.
Kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme, Antonijo Milloshoski, tha se në takim ishte theksuar se data për fillimin e negociatave po vonon 10 vjet, brenda të cilëve, siç u shpreh, ka pasur më shumë justifikime, sesa arsye për mosrespektimin e negociatave. Ai tha se nevojitet të ketë kontakte më të shpeshta me parlamentet e Evropës. Me shtyrjen për në vjeshtë, Milloshoski tha se është dëshmuar se kryeministri Zaev ka manipuluar se do të ketë datë në qershor.
“Qershori po kalon, kurse datë s’kemi. Do të kishim dashur që kjo të ndodhë së shpejti, në ndonjë rast tjetër. Kolegët e Gjermanisë thanë se do të mund të debatohen në rastin e ardhshëm, respektivisht në tetor. Njëkohësisht, mendimi im është se qasja politike me kërcënime të caktuara me rrezik të mundshëm, siç e bën kryeministri Zaev – se nëse nuk marrim datë, Qeveria do të bjerë dhe do të ketë de-stabilizim, së paku për Gjermaninë nuk do të ishte adekuate”, u shpreh Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.
Në vizitën e sotme në Kuvend, deputetët e Bundestagut të Gjermanisë, së pari u takuan me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, me deputetin Vlatko Gjorçev në rol të kryetarit të grupit parlamentar të Kuvendit për bashkëpunim me Parlamentin e Gjermanisë, pastaj me anëtaren e Komisionit për Çështje Evropiane, Shpresa Hadri, si dhe me kryetarin e Komisionit të Politikë të Jashtme, Antonijo Milloshoski. Në takim morën pjesë edhe anëtarët e këtyre komisioneve.
Përgatiti: Svetllana Unkovska
