Deponia “Rusino” së shpejti për gjithë Pollogun

TË FUNDIT

“Gjendemi në deponinë “Rusino” në Gostivar. Këtu për momentin mbeturinat hidhen vetëm nga ana e Komunës së Gostivarit, ndërsa me formimin e ndërmarrjes “Rusino” pritet që këtu mbeturinat t’i hedhin të gjitha komunat e rajonit të Pollogut”, raporton gazetari i TV21, Senat Zlbehari.

Këtë e konfirmon edhe drejtori i Qendrës për Zhvillim të Rajonit të Pollogut, Fatmit Saiti, duke pohuar për TV21 se janë krijuar kushtet teknike që edhe komunat tjera të fillojnë të hedhin mbeturina në “Rusino”.

 “Kushtet janë krijuar, kemi kushte teknike, do të konsultohemi edhe me konsulentët që të shohim se çfarë mund  të bëjmë që edhe komunat tjera përveç Gostivarit të mund të dërgojnë mbeturinat e tyre dhe teknikisht po i afrohemi fazës që komunat e tjera të dërgojnë në deponinë “Rusino”, tha Fatmir Sairi – drejtor i Qendrës për Zhvillim të Rajonit të Pollogut.

Por si do të funksionojë deponia “Rusino”? Komunat që këtu do të hedhin mbeturinat, do paguajnë 10 euro për ton, e kjo sipas Saitit do të sjell përfitime edhe për ndërmarrjen.

 “Me propozim të ministrisë edhe të konsulentëve me vlerë prej diku 10 euro për ton, dhe pas miratimit të këtij vendimi nga këshilli i rajonit, i njëjti vendim do të duhet të kalojë edhe në këshillat e komunave dhe kështu të bëhet e plotfuqishme. Mendoj se është në interes të të gjitha komunave dhe qytetarëve, prandaj nuk pres ndonjë vonesë që të kalojë ky vendim”, shtoi drejtori i Qendrës për Zhvillim të Rajonit të Pollogut, Fatmir Saiti.

Për momentin në deponinë “Rusino” mbeturinat i hedh vetëm komuna e Gostivarit, ndërsa komunat e tjera të Pollogut kenë problem me menaxhimin e mbetjeve. Djegia e deponisë “Rusino” ka bërë që në Gostivar shpesh edhe të protestohet, deri sa Ministria e Mjedisit Jetësor ra dakord me protestuesit që “Rusino” të mbetet deponi edhe për pesë vjet, e më pas të kërkohet një lokacion i ri.