Edhe sot vazhdoi të digjet depoja në Tetovë, ndonëse gjithë natën zjarrfikësit luftuan me zjarrin. Katër prej tyre madje kërkuan ndihmë mjekësore.
“Tërë natën kemi qenë këtu si shihet ende kemi zjarr dhe tym brenda objektit dhe siç e dimë brenda objekti ka pas llaqe të ndryshme, bombola gazi, bojler dhe gjithçka që shitet në këtë depo në rajonin tonë në Pollog. Sot besojmë se do ta shuajmë zjarrin dhe është një situatë e rëndë si zjarrfikës, dhe të gjithë zjarrfikësit që kanë marr pjesë, edhe drejtoria për mbrojtje për menaxhim me kriza dhe të gjitha institucionet por edhe komuna e Tetovës për të na dalë në ndihmë ne si zjarrfikës.”- deklaroi Avni Ahmeti, Komandant i NJTKZ Tetovë.
Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Stojançe Angelov apelon që komuna e Tetovës sa më parë ta rrisë numrin e zjarrfikësve dhe të njëtët të pajisen me mbrojtëse adekuate pasi dje ishin te vetmit që intervenuan pa pajisje mbrojtëse.
“Fakt është se njësia kundër zjarrit në Tetovë duhet të mbushet me njerëz por jo vetëm më njerëz, duhet të ketë edhe pajisje adekuate pasi që dje kur erdhën zjarrfikësit e Shkupit kishin maska ndërsa këta njerëz të guximshëm hynë ashtu. E ftoj komandantin të shkojë të bëjë vizita pasi që kanë thithur shumë helme se ishin afër tymit, sa i përket pajisjeve dhe punësimeve është obligim i kryetarit të komunës dhe e ftoj të fokusohet tek këta njerëz të guximshëm në shtim të numrit të zjarrfikësve dhe shtim të pajisjeve.”- tha Stojançe Angelov, Drejtor QMK.
Po çfarë rreth ndotjet së mjedisit nga djegia e kësaj magazine ku kishte edhe lëndë kimike?
Ministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Kaja Shukova thotë se në Maqedoni institucionet nuk kanë aparat për matjen e ndotësve organikë dhe për këtë kanë dalë në terren institucionet për të parë se si mund të ndihmohet në këtë aspekt.
“Sistemi automatik i shtetit, matës i shtetit është për matjen e materialeve jo organike, edhe jo ndotës organikë. Në shtet as nuk ka metodë të akredituar që mat matjen e ndotësve organikë. Megjithatë në terren kanë dalë Qendra për Menaxhim me Kriza, Instituti për Shëndet Publik dhe Inspektorati Shtetëror për Mjedis, edhe pse në kuadër të kompetencave të mjedisit jetësor ky rast nuk është në kompetencën tonë, as në kompetencë të inspektoratit, megjithatë gjithsesi për shkak të shëndetit të qytetarëve kanë dalë të kryejnë inspektim dhe të shohin, nëse disi munden të ndihmojnë më konkretisht.”- pohoi Kaja Shukova, Ministre E Mjedisit.
Për ajrin reaguan edhe nga Lëvizja Eco Guerilla duke shprehur shqetësimet për fatkeqësinë që ndodhi në fshatin Falishtë afër Tetovës. Nga kjo lëvizje thonë se kjo është hera e dytë në Tetovë të ndodhin fatkeqësi me përmasa katastrofale. Është koha që institucionet relevante dhe Inspektoratet të rishikojnë rregullativat ligjore me të cilat do të ketë kontrolle dhe standarde më të rrepta për mbrojtje nga zjarri për fabrikat apo depot te të cilat ka materiale kimike nga djegia e te cilave mund të shkaktohen katastrofa të mëdha si këto, thonë nga EcoGuerrila, sipas të cilëve duhet të shqyrtohen nëse fabrika ose depo si këto duhet të jenë afër vendbanimeve ose duhet të jenë në zona industriale larg vendbanimeve.