Për më shumë se dy muaj, një apo më shumë persona të panjohur janë duke mbjellë frikë në Maqedoni, e cila më shumë se dy vite është anëtare e NATO-s. Deri më tani është arrestuar dhe liruar vetëm një person, por u konstatua se ai nuk i dërgon e-mailet kërcënuese. Edhe një person tjetër, i frymëzuar nga dërguesit e vërtetë, një i mitur nga Shkupi, do të përgjigjet për terrorizëm. Por, pse nuk mund të zbulohet dërguesi i vërtetë i këtyre e-maileve?
“Në shumicën e rasteve bëhet fjalë për lidhje VPN për të cilat nuk mund të merrni një adresë të saktë IP prej ku vjen, por në botë paraqiten mijëra IP adresa nga ai provajder. Aty ku ka mundësi të vërtetohet, i vërtetojmë siç ishte rasti në Shkup, tash jemi rrugës për ta zbardhur të gjithë rastin edhe në komunën e Kavadarit, duke i ndërmarrë të gjitha masat e mundshme. Sektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar është vazhdimisht në komunikim me Interpolin, Europolin etj. Vazhdimisht po punohet në këtë drejtim”, tha Oliver Spasovski, ministër i Punëve të Brendshme .
Presidenti Stevo Pendarovski mendon se nuk ka nevojë që të thirret Këshilli për Siguri për shkak të denoncimeve për bombat. Ai theksoi se organet kompetente janë maksimalisht të angazhuar dhe nuk lejojnë që dikush të vendosë mjete shpërthyese në shkolla.
“Deri në këtë moment nuk ka nevojë që të shkojmë në atë nivel, për shkak se prej asaj që unë e di, marr informacione në nivel ditor, ata janë aktivë 24/7 në lidhje me këto kërcënime. Këtu ka dy aspekte, përndjekje penale për ata që e bëjnë këtë, frikë dhe panik, stres te nxënësit dhe prindërit. Sa i përket aspektit juridik, me atë merren organet kompetente, por e dini, këto adresa IP më së shpeshti janë jashtë shtetit dhe është e vështirë që të detektohen, sidomos njerëzit që udhëheqin ose menaxhojnë me këtë, dhe nga ky aspekt, nuk mund të hyj në detaje, por kur flasim për aspektin operativ, ditor, unë ju siguroj prej asaj që e di, dhe pohoj se e di, të gjitha organet kompetente janë të angazhuar maksimalisht dhe nuk lejojnë që dikush të vendosë bombë në shkollat tona”, theksoi Stevo Pendarovski, president.
Sot në mëngjes denoncime për bomba për herë të parë edhe në Kumanovë. Kjo gjë i nxiti deputetët e VMRO-DPMNE-së në Kuvend të kërkojnë seancë urgjente të Komisionit për mbrojtje dhe siguri.
“Mbi tre muaj shteti është i paaftë që të ballafaqohet me denoncimet për bomba, përkundrazi, problemi po përhapet edhe në qytetet e tjera. Menjëherë në Kuvend, së bashku me kolegët e tjerë, kërkova seancë urgjente të Komisionit për mbrojtje dhe siguri, ku do të referojë ministri i brendshëm Oliver Spasovski. Spasovski është më i thirrur që ta zgjidhë problemin, nëse është i paaftë le të japë dorëheqje dhe të kërkojmë ndihmë nga miqtë tanë jashtë vendit”, deklaroi Brane Petrushevski, VMRO-DPMNE.
Sot kishte denoncime për bomba në disa shkolla fillore në komunën Aerodrom, disa shkolla të mesme në Shkup dhe në disa shkolla në Kumanovë.
