Reagime për të dënuar sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës arrijnë nga gjithë aktorët politik dhe shoqërorë të vendit. Presidenti i shteti Stevo Pendarovski e thirri Këshillin e sigurisë ku u dënua invazioni ushtarak ndaj Ukrainës si dhe u tha se do të ndërmerren të gjithë masat e nevojshme që qytetarët tonë të cilët për momentin gjenden atje të kthehen të sigurt në vendin tonë.
“Anëtarët e Këshillit konstatuan se gjendja e sigurisë në vend është stabile. Në seancë u tha se vendi ka mjaftueshëm rezerva. Për shtetasit maqedonas që gjenden në Ukrainë shteti do t’i ndërmarrë të gjithë masat e nevojshme për evakuim të sigurt të tyre si dhe të të punësuarve në ambasadën tonë në Kiev“, thonë nga Kabineti i presidentit të RMV-së.
Ambasadorja ukrainase në vend Natalija Zadorozhnjuk, me kritika të fuqishme ndaj Federatës Ruse. Qëllimi i operacionit ushtarak është shkatërrimi dhe marrja me dhunë e shtetit ukrainas me vendosjen e kontrollit okupues, deklaroi ambasadorja dhe i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ndërmarrë masat e patjetërsueshme.
“Ky është akt lufte, sulm ndaj sovranitetit dhe integritetit nacional të Ukrainës, shkelje flagrante e kartës së OKB-së dhe normave themelore dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare. Ukraina aktivizon të drejtën e vet për vetëmbrojtje në pajtueshmëri me të drejtën ndërkombëtare. Ukraina i bënë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që menjëherë të veprojë. Vetëm të bashkuar dhe me hapa të vendosur mund të ndalojnë agresionin e Vlladimir Putinit kundër Ukrainës”, tha Natalija Zadorozhnjuk, ambasadore e Ukrainës në RMV.
Ministri për punë të jashtme, Bujar Osmani, informoi se po ndjekin gjendjen në Ukrainë dhe se Ambasada jonë është në kontakt me shtetasit maqedonas dhe tani për tani vetëm dy familje kanë kërkuar ndihmë.
“Kuptohet po ndjekim gjendjen edhe në drejtim të shtetasve tanë që gjenden atje. Deri më tani kishim disa apele që të përdoren të gjithë fluturimet e mundshme komerciale që të kthehen këtu në Shkup. Një pjesë e tyre janë kthyer, një pjesë jo. Jemi në komunikim me ambasadën tonë. Atje nga mëngjesi kemi disa qytetarë që kërkojnë dokumente për tu larguar nga vendi”, deklaroi Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme.
Pasojat nga sulmi ndaj Ukrainës do të jenë afatgjate dhe me më shumë domethënie, theksoi kryeparlamentari, Talat Xhaferi.
“Pasojat janë afatgjate dhe me më shumë domethënie. Domethënë jo vetëm nga aspekti ushtarak ose gjeografik, por veçanërisht edhe nga aspekti ekonomik, patjetër se do të ketë ndikime edhe ndaj rajonit edhe ndaj botës, që do të thotë se nuk është një gjë që duhet të trajtohet vetëm në kontekst nëse jemi afër ose larg në aspekt gjeografik. Në kontekst ushtarak situata është më specifike dhe më e ndërlikuar në përgjithësi për bashkësinë ndërkombëtare”, tha Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.
Qeveria thirri seancë të veçantë në të cilën u soll konkluzion se Maqedonia iu bashkëngjitet BE-së me sanksionet ndaj Federatës ruse. Sanksionet kanë të bëjnë me disa persona nga politika dhe biznesi të cilët kanë pasur rol për situatën në Ukrainë dhe për ta, vendoset ndalesë për udhëtim në vendet e BE-së si dhe për shfrytëzimin e fondeve të Unionit.
“Qeveria ta obligojë MPJ-në përmes misionit të përhershëm pranë BE-së në Bruksel, të njoftojë se Maqedonia e Veriut iu bashkëngjitet pakos së re me masa restriktive të Këshillit të BE-së, së bashku me të gjitha vendimet paraprake për masa restriktive nga viti 2014 deri më tani në aspekt të situatës në Ukrainë, dhe ta fillojë procedurën për zbatimin e tyre“, thonë nga Qeveria e RMV-së.
Kryeministri i RMV-së, Dimitar Kovaçevski me status në Facebook e dënoi agresionin ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës.
“Lufta është mënyra më e keqe për zgjidhjen e moskuptimeve, ndërsa agresioni ndaj Ukrainës është kërcënim për paqen në Evropë dhe në mbarë botën. Qeveria e ndjek me vëmendje gjendjen në Ukrainë. Gjendja e sigurisë në vendin tonë është stabile dhe për momentin nuk ekziston kërcënim direkt për sigurinë në Maqedoninë e Veriut. Përveç gjendjen e sigurisë, qeveria i ndjek edhe ndryshimet në zhvillimet ekonomike në botë që janë të destabilizuara për shkak të gjendjes së re”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Kryetari i opozitares VMRO-DPMNE, thotë se qëndrimin e tij e ka thënë para 20 ditëve në takimin me ambasadorin e Federatës ruse në Maqedoni, Sergej Bazdnikin.
“Integriteti territorial i Ukrainës dhe i çdo vendi tjetër sovran është konstant dhe duhet të respektohet, kurse qëndrimet e ndryshme sa u takon çështjeve aktuale të zgjidhen përmes rrugës diplomatike. Ajo që është e rëndësishme për mua si person dhe maqedonas, është se si Maqedonia do të përballet me sfidat aktuale në plan ekonomik dhe energjetik“, pohoi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Rusia mbrëmë vonë filloi invazion mbi Ukrainën, hap për të cilin kishte reagime të shumta, por edhe frikë se kjo situatë do të reflektojë edhe mbi krizën ekonomike.
