Dëmtohet KF Bashkimi! VAR e paralajmëroi, por referi nguli këmbë në penalltinë inekzistente

TË FUNDIT

Ky ishte momenti kur referi Plarent Salihu akordoi penallti për Brerën në ndeshjen kundër Bashkimit. U pa se kontakti ishte shumë i vogël dhe jo i mjaftueshëm për të treguar penallti, kështu që dhoma e sistemit VAR, ftoi referin që ta shoh xhirimin e ngadalësuar, por Salihu mbeti në vendimin e tij se kishte faul brenda zonës. Nga pika e bardhë nikoqirët shënuan për ta barazuar shifrat në 1-1, rezultat me të cilin përfundoi ndeshja.


Se kumanovarëve ju mohua fitorja nga vendimi i gabuar i referit, këtë e dëshmoi edhe Reagimi i Komisionit të referëve pranë FFM, në të cilin thuhet:

“Sipas protokollit të VAR-it, referi kryesor është ai që merr vendimin përfundimtar. Në këtë rast, ai nuk e pranon këshillën e VAR-it dhe vendos ta mbajë vendimin fillestar – penallti – duke bërë një vlerësim të gabuar të intensitetit dhe ndikimit të shkeljes. Për shkak të këtij vlerësimi të gabuar, gjyqtari kryesor do të vlerësohet negativisht nga kontrollori i ndeshjes”.

Dy pikët e mohuara revoltuan jashtë mase ekipin kumanovar, i cili akuzon referin se ishte lojtari i 12-të i ekipit kundërshtar.

“Referi kryesor i ndeshjes, tetovari Plarent Salihu, i cili pa asnjë arsye zhveshi rekuiziten e referit dhe çuditërisht u bë lojtari i dymbëdhjetë i Breres, duke shkaktuar indinjate, nervozizëm dhe ankth tek tifozeria jone, lojtaret dhe kryesia e klubit. Veprimet dhe vendimet e tij, ishin ne kundërshtim me fer play-in, ishin ne kundërshtim me garën dhe sportin. Ai sot ishte shkatërrues i gjithckahit, duke e transformuar futbollin në një cirk!”, thanë nga KF Bashkimi.

KF Bashkimi kërkon nga Federata si dhe Komisioni për referim, te reagojnë mbi këtë referim siç e quajnë skandaloz ndaj klubit të tyre dhe kërkon suspendimin e Plarent Saliut.
Ndonëse ishte paraparë që të ishte pjese ekipit të referëve në ndeshjen VARDARI – FC STRUGA, megjithatë si pasojë e atij gabimi, Plarent Salihu, është zëvendësuar me referin Stojançe Trpçevskin.