Demokratët në Dhomën e përfaqësuesve të Kongresit amerikan kanë njoftuar se do të bëjnë thirrje për një ndryshim kushtetues të paqartë dhe do të përpiqen ta zëvendësojnë sërish Donald Trampin.
Kjo përpjekje e fundit për ta ndërruar presidentin e SHBA-së vjen vetëm një muaj para zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit.
Plani u zbulua nga udhëheqësja e Dhomës së demokratëve Nensi Pelosi, e cila bëri thirrje për një ndryshim kushtetues që mund, megjithëse nuk ka gjasa, të zëvendësojë presidentin bazuar në një vlerësim të aftësisë së tij për të udhëhequr kombin dhe në vendin e tij të vendoset nënpresidenti Majk Pens.
Pelosi njoftoi sot se do ta paraqesin iniciativën e tyre për të aktivizuar amendamentin e 25-të të Kushtetutës së SHBA-së, por shanset që demokratët të kenë sukses në ndryshimin e Trampit janë në fushën e trillimeve shkencore, sepse përveç dy dhomave të Kongresit, me zhvillimin e tillë duhet të pajtohet edhe nënpresidenti Pens.
Mediat amerikane shkruajnë se mbrëmë nuk kishte ndonjë pamje të qartë nëse Pelosi ka mbështetje të mjaftueshme midis demokratëve për një veprim të tillë.
Argumenti kryesor i Pelosit është, në fakt, pyetja “nëse Tramp është mendërisht i përgatitur” për të drejtuar vendin për shkak të ilaçeve që po merr si pjesë e terapisë Kovid-19.
“Presidenti, si të thuash, është në një situatë tjetër tani … Unë nuk kam asnjë përgjigje për një sjellje të tillë. Ka njerëz që thonë se kur jeni duke përdorur steroid ose medikamente për Kovid-19, mund të keni ndonjë çrregullim të të menduarit”, tha Pelosi për televizionin Blumberg.
Në fillim të kësaj jave, Tramp kaloi tre ditë në spitalin ushtarak pasi u diagnostikua me koronavirus.
