Del nga burgu ish zv/presidentja e Parlamentit Evropian

TË FUNDIT

Eurdeputetja greke, Eva Kaili, e cila akuzohet për korrupsion, si pjesë e hetimit për të ashtuquajturin Katargate,  doli këtë të premte, 14 prill, nga burgu Haren i Brukselit pasi ndaj saj u ndryshua masa e sigurisë në “arrest shtëpie”. 

Nga burgu ajo u dërgua në apartamentin e saj që ndodhet pranë godinës së parlamentit europian. Derisa të zhvillohet gjyqi asaj do t’i duhet të qëndrojë brenda ambienteve të banesës ndërsa do të jetë e detyruar të mbajë një byzylyk për gjurmim elektronik.

“Ime bijë më pret. Jam shumë e lumtur që po bashkohem më të” iu tha ajo gazetarëve pranë banesës, duke iu referuar fëmijës së saj dy vjeçar.

 Duke folur në greqisht pastaj në anglisht, Kaili tha se avokatët e saj do të vijonin luftën me vendosmëri.

Kaili, 44 vjeçe, dikur folëse lajmesh dhe tashmë ish president e Parlamentit Europian, është bërë fytyra publike e skandalit të korrupsionit që tronditi politikën europiane.

Para se të lirohej,  u mbajt për katër muaj në paraburgim. Edhe i fejuari dhe partneri i saj është vënë nën akuzë dhe është liruar nga mjediset e burgut. Edhe dy persona të tjerë të përfshirë në çështje, eurodeputeti belg Marc Tarabella dhe ish eurodeputeti italian Pier Antonio Panzeri, janë aktualisht nën  arrest shtëpie dhe mbajnë byzylykë elektronikë.

Hetimi ndaj tyre është përqëndruar tek përpjekjet e pretenduara të ndërmarra nga Katari dhe  Maroku për të blerë ndikim në parlamentin europian, siç ishin edhe tentativat për të reduktuar kritikat për të dhënat e respektimit të të drejtave të punës në Katar para zhvillimit të Kupës së Botës në 2022-in.

Dy vendet mohojnë përfshirjen në ndonjë vepër penale, ashtu siç  mohojnë edhe Kaili dhe Tarabella.

Panzeri ndërkohë ka njoftuar përmes avokatëve se ka arritur një marrëveshje me hetuesit dhe ka rrëfyer rolin në organizimin e pagesave të korrupsionit për një rrjet figurash poltiike. 

Kaili dhe Panzeri ishin mes katër të dyshuarve banesat e të cilëve u bastisën vitin e shkuar dhe ku u gjet një shumë totale prej 1.5 milionë eurosh.

Tarabella u ndalua në muajin shkurt, pasi Panzeri pretendoi se i kishte dhënë para. Ndërkohë, një tjetër i dyshuar, eurodeputeti Italian, MEP Andrea Cozzolino, po mbahet nën arrest shtëpie në Itali dhe po lufton për të kundështuar ekstradimin e tij në Belgjikë.