Deklaronin 20% yndyrë qumështi, në djathë kishte vetëm 1%! AUV zbuloi mashtrime të rënda me deklarata të rreme në markete

TË FUNDIT

Në vend të 20% yndyrë qumështi të deklaruar, në djathë kishte vetëm 1% dhe në vend të yndyrave të qumështit përdorej vaj palme. Agjencia për Ushqim dhe Veterinari, gjatë kontrolleve të jashtëzakonshme në zinxhirët e mëdhenj të marketeve, zbuloi manipulime dhe mashtrime serioze ndaj konsumatorëve. Nga 45 mostra të analizuara të qumështit dhe produkteve të qumështit, tek 10 operatorë ushqimorë u konstatua një përqindje dukshëm më e ulët e yndyrave të qumështit nga ajo që ishte zyrtarisht e deklaruar.

Gjoba prej 1.050 euro për mashtrim të konsumatorëve fituan edhe tetë operatorë të tjerë, tek të cilët u konstatuan dallime midis përqindjes së deklaruar dhe asaj reale të yndyrave të qumështit në produktet e kontrolluara. Ndërsa u shkatërruan 500 kilogramë produkt qumështi i diskutueshëm që përmbante vaj palme.

Për të konstatuar nëse cilësia reale e produkteve përputhet me atë që është shkruar në deklarata, veterinerët morën gjithsej 91 mostra të qumështit, produkteve të qumështit dhe mishit të tharë, nga prodhimi vendas dhe nga importi. Janë gati vetëm analizat laboratorike për produktet e qumështit, ndërsa ato të mishit të tharë ende priten.