Studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit “Nënë Tereza”, në një takim të organizuar nga Kuvendi Studentor, kanë shprehur qëndrimin e tyre kundër propozimit lidhur me provimin e jurisprudencës, duke theksuar se ky provim duhet të zhvillohet 100% në gjuhën shqipe.
Përfaqësuesit e studentëve theksuan se, sipas qëndrimit të tyre, nuk ka nevojë për ndryshime shtesë ligjore, pasi përdorimi i gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës garantohet me ligj dhe Kushtetutë. Ata kundërshtuan gjithashtu përcaktimin e përqindjeve të ndryshme për përdorimin e gjuhës shqipe, duke kërkuar që provimi të zhvillohet tërësisht në këtë gjuhë.
Studentët bënë të ditur se nuk e pranojnë propozimin në fjalë dhe se mundësia e organizimit të protestave mbetet në shqyrtim. Për hapat e mëtejshëm, ata paralajmëruan se do të konsultohen me Lëvizjen Studentore për të marrë një vendim konkret lidhur me veprimet që do të ndërmerren.
