Deklarata e Kurtit për shqipen revoltoi opozitën – Reagon Bujar Osmani, kundërpërgjigjet Arben Fetai

TË FUNDIT

“Në Maqedoninë e Veriut nuk mund të thuhet se na paska qenë shqipja gjuhë zyrtare e tash po u rrezikoka.” “Nuk ka në Maqedoni të Veriut, Ligj për përdorimin e gjuhës shqipe dhe nuk ka pasur as në të kaluarën! Ekziston Ligji për përdorimin e gjuhëve që e kalon shifrën 20%, por ai nuk është ligj i gjuhës shqipe, është ligj për përdorimin e gjuhëve”, tha Albin Kurti

Kështu dje u shpreh kryeministri i Kosovës Albin Kurti pas seancës së përbashkët ndërqeveritare, në Prishtinë, me cka ngjalli shumë reagime, sidomos të opozita shqiptare.

Nga Fronti Evropian reaguan me një kumtesë të përbashkët ku thuhet se është për keqardhje që një Kryeministri i Kosovës jep deklarata që përputhen me narrativët që synojnë të minojnë të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

“Deklaratat e fundit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me statusin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut janë të pavërteta dhe të papranueshme.I bëjmë thirrje Kryeministrit Kurti të korrigjojë menjëherë deklaratat e tij dhe të mos shërbejë si mburojë për asnjë përpjekje që cenon barazinë dhe të drejtat e shqiptarëve”, thotë Fornit Europian.

Mbrëmë nga Buteli, nënkryetari i BDI-së Bujar Osmani tha se kanë vepruar për 15 vite me radhë.

“Gjuha po kërcënohet dhe sot çfarë është më tragjike nga Prishtina u krijua preteksti për të rrënuar gjuhën. Unë kam qenë njëri prej tyre që z.Ahmeti më ka deleguar për gjuhën… Shqipja për 15 vite nuk ka arritur të miratohet për shkak se dallimet kanë qenë të mëdha. Ne e thonim se është gjuhë zyrtare në gjithë territorin, ata thonin jo vetëm në komuan. Dhe ia dolëm pas 15 viteve”, deklaroi Bujar Osmani.

Nga Koalicioni VLEN thonë se vazhdojnë të mbeten në një linjë me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Zëvendëskryeministri nga ky koalicioni Arben Fetai, tha se pikërisht Bujar Osmani kur ishte ministër deklarohej se në këto çështje sillet si ndërkombëtar.

“Tani që janë në opozitë u bie në mend që nuk është rregulluar statusi I gjuhës shqipe, nuk është rregulluar definicioni i gjuhës të cilën e flasin mbi 20% e popullsisë! Sa herë është hapur Kushtetuta ata kanë kundërshtuar në këtë pikë dhe ne tash e kemi trashëguar këtë gjendje. Siç e thash në momentin e parë që do të hapet Kushtetuta do të bëjmë përpjekjet maksimale që të mëmnjanohet definicioni 20% i gjuhës shqipe”, tha Arben Fetai

Sipas Ligjit për përdorimin e gjuhëve në Maqedoninë e Veriut, neni 1, paragrafi 2 thekson se: “Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve, është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, në pajtim me këtë ligj.” Sugjerimet e Komisionit të Venecias për disa nene dhe 13 nsima të disa partive politike maqedonase, organizatave joqeveritare dhe individëve kanë formësuar një lëndë në Gjykatë Kushtetuese, e cila pritet që më 11 dhjetor të mbaj seancë për të vërtetuar kushtetutshmërinë e këtij ligji, plotësimi i të cilit u bë në vitin 2018, për përdorim në gjithë territorin e vendit, por asnjëherë nuk është zbatuar plotësisht.