Maqedonia ka shpallur si persona të padëshiruar 5 diplomatë të Ambasadës së Federatës ruse. Për këtë arsye, këtë mëngjes ambasadori rus në vend Sergej Bazdnikin është thirrur në Ministrinë e Jashtme. Prej atje thonë se kanë informacione për aktivitete të palejuara të diplomatëve.
“Sipas informacioneve që kemi marrë, punonjësit e përmendur të Ambasadës së Federatës Ruse kanë kryer aktivitete në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike. Diplomatët rusë do të duhet të largohen nga territori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në 5 ditët e ardhshme”, thanë nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Por çfarë do të thotë një hapi i këtillë për marrëdhëniet diplomatike, sidomos pas faktit që Rusia na vendosi në listën e vendeve armike për shkak se Maqedonia iu bashkëngjit sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë? Analisti Ismet Ramadani thotë se ne si vend anëtar i NATO-s jemi në anën e duhur, ndërsa ky akt tregon se ata persona kanë bërë veprime zbuluese në vendin tonë.
“Nëse zbulohet në mënyrë flagrante se punojnë kundër interesave të vendit tonë, interesave të NATO-s si Aleancë, atëherë këto janë kritere që respektohen gjithkund dhe këtu nuk ka se çfarë të shpjegohet. Unë e di se do ta bëjnë të kundërtën. Ashtu do të veprojë edhe diplomacia ruse”, vlerëson Ramadani.
Sipas Ramadanit, veprimet e këtilla janë paralajmëruar paraprakisht kur ambasadori rus ka paralajmëruar se do t’i ndjekë dhe evidentojë të gjithë ata që janë kundër pushtimit rus ndaj Ukrainës.
“Varet se si do të sillet në të ardhmen vetë ambasadori, edhe pse ai tashmë deklaroi se ata do t’i ndjekin, bëjnë lista se kush dhe si vepron në lidhje me luftën në Ukrainë. Ne në atë rast jemi me palën e vërtetë, megjithatë kjo nuk do të thotë se mund të vijë koha kur do të normalizohen marrëdhëniet edhe ndaj vendeve anëtare të NATO-s edhe vendeve perëndimore”, thotë më tej Ramadani.
Kjo nuk është hera e parë që Maqedonia të dëbojë diplomatë rusë. Vitin e kaluar u soll vendim për të shpallur persona non-grata dy diplomatë rusë, njëri prej tyre në maj, tjetri në gusht, pas çka ata ishin detyruar që ta lëshojnë vendin tonë. Në dy rastet Rusia reagoi në mënyrë reciproke përkatësisht sollën vendim për dëbim të diplomatëve të Maqedonisë së Veriut.
