DEBATI PËR LEGALIZIMET NË OHËR, ADEMI: OHRI NUK KËRCËNOHET KULTURALISHT

TË FUNDIT

 

 

Ndërtimet pa leje në Ohër numërohen nëpër gishta. Kështu pretendon ministri pa resor Edmon Ademi. Sipas tij ka shumë pak ndërtime pa leje siç janë shtëpi, objekte hotelierike apo hotele në zonën e mbrojtur të Ohrit. Gjatë një interviste për REL, Ademi tha se pjesa më e madhe e këtyre objekteve pa leje, janë garazhde, gardhe ose shkallë shtesë.

“Së pari, histeria në opinion publik në lidhje me këtë se Ohri mund të bëhet pjesë e asaj liste të zezë të UNESKO-s, se kërcënohet pasuria  kulturore dhe natyrore, nuk e bëri Qeveria. Së dyti, Qeveria në këtë situatë, gjatë bisedave që i zhvillova në Baku, jo vetëm me vendet  e Komitetit, por edhe me dy organizatat   e ekspertëve në kuadër të UNESKO-s, IKOMOS-it dhe USCN-së, është arritur marrëveshje për mbështetje eksperte”, tha Ademi.

Në raportin e UNESCO-s i cili u publikua pas vizitës së fundit të ekspertëve të kësaj organizate në rajonin e Ohrit, theksohet se gjendja në këtë rajon sa vjen e përkeqësohet. Gjykojnë se Ohri kërcënohet nga një degradim serioz në këtë ekosistem të mbrojtur. Sipas Organizatës për arsim, shkencë dhe kulturë të Kombeve të Bashkuara kjo vjen për shkak të ngulfatjes së ambientit nga mbindërtimet infrastrukturore.

“Misioni i UNESKO-s shpreh shqetësim nga rritja e trafikut dhe turizmit, si dhe projektet e tjera jo  adekuate  të infrastrukturës, duke përfshirë edhe projektin e propozuar për zhvillim të ski qendrës Galiçica dhe projekte të tjera të pa- koordinuara për zhvillim urban. E gjithë kjo mund t’i përkeqësojë atributet kyçe të vlerave natyrore dhe kulturore të trashëgimisë natyrore dhe kulturore, siç është forma e përgjithshme të entitetit urban monumental dhe biodiverzitetit të ujërave të liqenit, nëse nuk ndërmerren masa urgjente”, thuhet në raportin e UNESCO-s.

Vërejtja është se në Baku ku ka marrë pjesë edhe Edmond Ademi është prezantuar listë prej 1076 objekteve të ndërtuara pa leje, por aktivistët thonë se nga Raporti prej vitit 2015, për implementimin e ligjit për legalizim të objekteve pa leje nga ana e Avokatit të popullit, do të konstatohet se vetëm në Komunën e  Ohrit, pa Strugë dhe Debarca, janë dorëzuar  kërkesa për legalizimin e mbi 11 mijë objekteve pa leje. Ministri pa portofol mohoi këto vlerësime.