Debat i nxehtë, radiatorë të ftohtë! Kush do ta paguajë ngrohjen qendrore?

TË FUNDIT

Ka krizë globale si të energjisë elektrike, ashtu edhe të gazit natyror. Kjo krizë nuk është vetëm në vendin tonë, tha në “Klik Plus” këshilltari për energjetikë në kryeministri, Viktor Andonov. Ky është problem me të cilin duhet të merret pushteti lokal, shton ai.

 “Sipas decentralizimit dhe ligjeve ekzistuese, ky obligim i takon pushtetit lokal. Jo vetëm sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, por edhe sipas Ligjit për Energjetikë në të cilin shkruan se njësitë e vetëqeverisjes lokale sigurojnë kushte për funksionim të pandërprerë të veprimtarisë së prodhimit, furnizimit dhe distribucion të ngrohjes”, tha Viktor Andonov – këshilltar për energjetikë.

Në ekonomi, financa dhe biznes nuk ka zgjidhje gjysmake. Në këtë rast ose Qeveria do ta paguajë gazin, ose do të lejojë që radiatorët të mbesin të ftohtë! Gjithçka tjetër është pi-ar (PR) i lirë partiak, thotë Stefan Antovski nga VMRO-DPMNE.

 “Qytetarët janë duke u ngrirë së ftohti, e ata merren me pi-ar. Gjysmë-masat populiste nuk do t’i zgjidhin problemet. Ashtu siç është për rrymën, tani ofrohen zgjidhje gjysmake edhe për ngrohjen qendrore. Në ekonomi, financa dhe biznes nuk ka zgjidhje gjysmake. Në këtë rast – ose Qeveria do ta paguajë gazin ose do të lejojë që radiatorët të mbesin të ftohtë! Gjithçka tjetër është gënjeshtër”, u shpreh Stefan Antovski nga VMRO-DPMNE.

Nga opozita shtojnë se LSDM-ja duke kërkuar që komunat dhe Qyteti i Shkupit ta “shpëtojnë” ngrohjen në Shkup, është tërësisht jashtë realitetit. Dhe derisa lavdërohen se janë ballafaquar me krizën energjetike dhe se nuk e kanë rritur çmimin e rrymës mbi 30-40%, nga Buxheti nxirren 200 milionë euro për SH.A. ELEM, akuzon Antovski.

Por, Andonovi pohon se rregullatori në këtë mënyrë i mbron interesat e konsumatorëve dhe e rregullon punën e privatit.

 “Në opinionin publik dëgjomë debate lidhur me atë se si do t’u ndihmojmë kompanive private, si do të përfitojnë ato dhe si do të japin dividendë, por kjo nuk është ashtu. Bëhet fjalë për një kompani private e cila kryen veprimtari me interes publik në pajtueshmëri me Ligjin për Energjetikë”, shtoi Viktor Andonov – këshilltar për energjetikë.

Në Maqedoni ka rrjet të ngrohjes vetëm në Shkup, që është një nga mënyrat më të mira dhe më efikase për ngrohje dhe mbrojtje të mjedisit jetësor. Procedura për zhvillimin e rrjetit shpërndarës të gazit natyror është në fazë të dytë, kurse deri në fund të këtij viti duhet të zgjedhet kontraktuesi, shpjegon Andonovi.

Ditëve të fundit, kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska dhe kryetari i Çairit, Visar Ganiu kërkuan mbështetje financiare nga Qeveria, për shkak se banorët e Çairit dhe Butelit mbetën pa ngrohje.

Arsovska theksoi se Qeveria duhet ta marrë përsipër përgjegjësinë, sepse BEG-u e ka marrë koncesionin nga Qeveria, e jo nga Qyteti. Shtoi se ekzekutivi është me 5 muaj vonesë në ndërmarrjen e masave për t’i zbutur efektet e krizës. Qeveria propozon ta subvencionojë çmimin e energjisë termike për amvisëritë në Shkup në lartësi prej 80%, kurse pjesën tjetër, gjegjësisht 20% ta mbulojë Qyteti dhe komunat e Shkupit, me çka shpenzimet për energji termike të amvisërive do të mbesin të pandryshuara.